Mbi 84% të ngasësve nuk vënë rripin e sigurisë
Prishtinë, 10 qershor - Edhe më tutje në Kosovë sfidë e madhe mbetet Siguria në komunikacion. Aksidentet e shumta me fatalitet, mos respektimi i rregullave të komunikacionit, qoftë nga ngasësit, ashtu edhe nga këmbësorët përbëjnë shqetësim të madh dhe sfidë të vazhdueshme për qytetarët dhe institucionet e zbatimit të ligjit.
Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë (Institute of Criminology and Criminal Justice ICCJ), ka bërë një hulumtim me fokus të veçantë në disa faktorë, të cilët në mënyrë direkte ose indirekte në shumicën e rasteve janë shkaktarë të aksidenteve në trafik, por që kanë të bëjnë edhe me kulturën dhe etikën e pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor. Sipas këtij hulumtimi të bërë nga ICCJ, shkelës të rregullave në trafik përveç qytetarëve, rezultojnë të jenë edhe zyrtarët shtetërorë.
Hulumtimi për sjelljen e pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor është realizuar gjatë muajit maj 2014-të, në qytetin e Prishtinës, me një mostër reprezentuese prej 825 makinave të vëzhguara, që afërsisht është 1% e numrit total të automjeteve të regjistruara në rajonin e Prishtinës.
Nga ky hulumtim i realizuar del se 84% të ngasësve nuk kanë vënë rripin e sigurisë, ndërsa vetëm 16% e tyre kanë respektuar rregullën e parapara me ligjin për komunikacionin rrugor, saktëson raporti i ICCJ-së.
Poashtu hulumtimi tregon se 81% e veturave të vëzhguara e kanë respektuar semaforin gjatë lëvizjes në komunikacion, mirëpo 19% e tyre nuk e kanë respektuar rregullën, duke rënë ndesh me ligjin.
Ndërsa shqetësues mbetet fakti që 33% të ngasësve të vëzhguar nuk i kanë respektuar këmbësorët në vendkalimin e paraparë për këmbësorë, kurse 67% e ngasësve i kanë respektuar këmbësorët, të cilët janë kyçur në trafik në vendet e parapara për lëvizjen e tyre.
Një tjetër konstatim i cili shihet me shqetësim nga ICCJ-ja është edhe përdorimi i celularit gjatë ngasjes së veturës. Përdorimi i celularit gjatë ngasjes së makinës paraqet një rrezik të madh në komunikacion. Gjetjet nga ky hulumtim tregojnë se 78%, të ngasësve të vëzhguar e përdorin telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit, kurse vetëm 27% nga ta nuk e përdorin celularin gjatë ngasjes.
Shqetësim në vete përbenë edhe fakti se vet zyrtaret e institucioneve bëjnë shkeljen e ligjit, duke mos përfillur rregullat e komunikacionit. Këto shkelje janë bërë nga zyrtarë policorë, zyrtarë qeveritarë, dhe zyrtarë të Eulexit.
Gjetjet e këtij hulumtimi kanë treguar se 86% të zyrtarëve të vëzhguar gjatë këtij hulumtimi, kanë bërë kundërvajtje të ndryshme në trafik, ndërsa vetëm 13% e tyre kanë respektuar rregullat e komunikacionit, thotë ICCJ-ja.
ICCJ në hulumtimin e saj ka konstatuar se shkelës të rregullave në komunikacionin rrugor nuk janë vetëm ngasësit e makinave, por një pjesë e madhe e shkeljeve bëhet edhe nga vet këmbësorët.
Mosrespektimi i rregullave në komunikacion, sidomos ai i vendeve të shënuara për kalim të këmbësorëve, paraqesin rrezik të madh për sigurinë e vet këmbësorëve, por edhe për ngasësit e makinave.
Brengosës është fakti se brenda 60 minutash të monitorimit në 12 akse rrugore të qytetit të Prishtinës janë bërë 1.337-të shkelje nga këmbësorët, të cilët kanë kaluar rrugën në vende të cilat nuk janë të parapara për këmbësorë me rregulla të komunikacionit, përkundër asaj se vendkalimi i shënuar për këmbësorë ka qenë jo më larg se 50 metra nga vendet ku ata kanë kaluar rrugën. Neglizhenca e tillë paraqet rrezik për këmbësorët dhe për sigurinë në trafik në përgjithësi.
Sipas rezultateve të gjetura nga hulumtimi Sjellja e pjesëmarrësve në trafikun rrugor del se shumica apo 73% e këmbësorëve të vëzhguar e respektojnë semaforin, ndërsa 27% e këmbësorëve nuk e respektojnë këtë rregull të komunikacionit, e që përbënë mundësi të madhe të shkaktimit të aksidenteve.
Instituti për Kriminologji dhe kriminalistikë ka rekomanduar se duhet që të behën përpjekje serioze në mënyrë që të jepet një mesazh i qartë për vetëdijesim dhe mos tolerancë ndaj këtyre dukurive, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga ky institut.
ICCJ ka potencuar faktin se edhe përkundër asaj që legjislacioni i Republikës së Kosovës e rregullon komunikacionin dhe qarkullimin rrugor me Ligjin për Respektimin e Rregullave në Komunikacion, i cili ka fuqi të mjaftueshme për t´i luftuar këto kundërvajtje, institucionet përkatëse, për zbatim të ligjit, si Policia dhe Gjykatat, duhet të luajnë një rol më të madh në parandalimin e këtyre dukurive.
Tjetër rekomandim nga ky institut është edhe zbatimi i ligjit për aplikimin e pikëve diskualifikuese, i cili sipas tyre do të përmirësonte gjendjen shqetësuese në teren.