Mbi 70 kosovarë mbeten të bllokuar nga protestat në Egjipt
Kajro, 3 shkurt - Mbi 70 kosovarë kërkojnë ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për t`u evakuuar nga Egjipti, për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin.
Lajmi bëhet i ditur nga agjensia e lajmeve Ina e cila citon burime nga komuniteti kosovar në Kajro. Sipas përfaqësuesit të komuniteti kosovare në Kajro Beqir Ismaili janë rreth 50 studentë dhe 20 shtetas të tjerë që kanë ngelur të izoluar dhe kërkojnë ndihmë për evakuim nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
Është shumë vështirë, sepse studentët sidomos nuk kanë para dhe mezi ia dalin për të tejkaluar këtë krizë që është shumë e vështirë. Kërkojmë urgjentisht që MPJ e Kosovës të mundësojë një avion për të na ndihmuar. Por, tani për tani nuk kemi përgjigje nga Prishtina zyrtare, theksoi Ismaili.
Sipas tij, ambasada serbe në Kajro i ka ofruar ndihmë 15 studentëve, të cilët kanë udhëtuar drejt Beogradit.
Sot presim që një ndihmë të na ofrojë ambasada e Shqipërisë dhe ambasada e Bosnjës, që kanë premtuar disa vende, por nuk jemi të sigurt. Do të presim deri të shtunën mos po qetësohet situata, por është shumë keq sidomos për studentët që nuk kanë kushte dhe para dhe mezi mbijetojnë në këtë kaos dhe krizë të rëndë të papërshkruar në Kajro dhe qytetet tjera, theksoi Beqir Ismaili.