Mbi 6 mijë tonë substanca të rrezikshme gjenden në Kosovë
Prishtinë, 17 nëntor - Një sasi e madhe e mbetjeve radioaktive apo mbi 6 mijë tonë substanca të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientit gjenden nëpër shumë komuna të Kosovës.
Ato kryesisht gjenden nëpër fabrikat ekzistuese të ndërtuara në kohën e ish-Jugosllavisë dhe në pa mundësi të trajtimit të tyre për shkak të kostos financiare, ato janë lënë derisa të ndërtohet një deponi e sigurt.
Gazeta Tribuna ka siguruar një raport të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ku tregohet se në Kosovë në shumë komuna gjenden qindra tonelata me mbetje radioaktive në forma të ngurta dhe të lëngshme.
Shteti ka dijeni se gjenden këto mbetje të rrezikshme dhe është duke punuar tiu gjendet një zgjidhje e sigurt.
Në raport, sipas gazetës Tribuna thuhet se mbetje radioaktive, të industrisë së rëndë, ruhen edhe në qendër të Prishtinës.
Megjithatë, po sipas raportit, me më së shumti substanca të rrezikshme dhe radioaktive prinë Komuna e Mitrovicës e pasuar nga Komuna e Kastriotit, Peja, Ferizaj, Prishtina e shumë komuna të tjera.
/Tribuna/