Mbështetja e BE-së forcon sistemin e regjistrimit të gjendjes civile të Kosovës
Kjo arritje u bë e mundur përmes financimit nga Bashkimi Evropian (BE) dhe me mbështetjen e Këshillit Danez për Refugjatë, që nga viti 2012 e deri në vitin 2023. Projekti kishte për qëllim përmbushjen e mandatit të Agjencisë në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 1 qershor 2023, Agjencia e Regjistrimit Civil të Kosovës mund të shpallë zyrtarisht përfundimin e suksesshëm të integrimit të të dhënave nga mbi 12,000 regjistra të gjendjes civile në sistemin e tyre.
Kjo arritje shënoi finalizimin e projektit “Digjitalizimi i kopjeve të certifikuara të librave të regjistrit civil – Faza III”, që ka pasur për qëllim të lidhë arkivën elektronikë të kopjeve të certifikuara me Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile në Kosovë.
Projekti, i financuar nga BE-ja, kishte buxhet prej 2 milionë eurosh, si dhe u zbatua nga Këshilli Danez për Refugjatë, për një periudhë 42 mujore, duke filluar nga 2 dhjetori 2019.
Objektivi kryesor i projektit ishte të kontribuonte në krijimin e një sistemi unik, të avancuar e gjithëpërfshirës të të dhënave të gjendjes civile, drejt rritjes së besueshmërisë së sistemit të regjistrimit të Kosovës në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë.
Stafi esencial i Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës, Ministrisë së Brendshme si dhe Zyrave Komunale të Gjendjes Civile, (që ofrojnë shërbime në nivel lokal) mori pjesë në projekt.
Zbatimi i projektit çoi në disa rezultate të rëndësishme:
Disponueshmëria e të dhënave historike: Gjithsej 3,100,783 shënime të lindjes, martesës dhe vdekjes, që mbulojnë periudhën ndërmjet krijimit të sistemit të gjendjes civile pas Luftës së Dytë Botërore dhe 1999, u bënë të disponueshme për autoritetet e Kosovës.
Avancimet e infrastrukturës së TI-së: Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Zyrat Komunale të Gjendjes Civile përfituan avancime në infrastrukturën e tyre të TI-së, gjë që ka rritur kapacitetin e tyre për të trajtuar e menaxhuar në mënyrë efikase të dhënat e gjendjes civile.
Zgjidhja me kërkim të Integruar: Projekti ka zhvilluar një zgjidhje të kërkimit të integruar, që mundëson qasje të lehtë në të dhënat e gjendjes civile, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Ky format i përshtatshëm për përdoruesit mundëson nxjerrjen dhe përdorimin efikas të informacionit të gjendjes civile.
Dorëzimi i softuerit dhe doracakëve: Agjencia e Regjistrimit Civil përfitoi nga produkte esenciale, duke përfshirë kodet burimore të softuerit, algoritmet e enkriptimit dhe vërtetimit, si dhe doracakët e përdorimit.
Zbatimi i zgjidhjeve pilot: Projekti ka kryer pilotimin e zgjidhjeve në komunat e Istogut, Mitrovicës dhe Prishtinës.
Rezultatet e arritura të projektit përbëjnë moment historik të rëndësishëm në zbatimin e Konkluzioneve të dakorduara të vitit 2011, në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ka ende sfida të mbetura, përkatësisht:
Të siguruarit që zgjidhjet e zhvilluara nga projekti – mjetet që mundësojnë përputhjen e identiteteve midis burimeve të ndryshme të të dhënave dhe kërkimin e të dhënave nga të gjitha burimet digjitale – janë përhapur në të gjitha komunat tjera, duke i bërë ato plotësisht të qëndrueshme.
Finalizimi i besueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes së plotë të sistemit të gjendjes civile, duke proceduar me rastet e pazgjidhura lidhur me të dhënat e gjendjes civile, që janë aktualisht të disponueshme në formatin e shtypur.
Përmirësimi i mëtejshëm i konsolidimit të kapaciteteve brenda Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Zyrave Komunale të Gjendjes Civile për përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura dhe aplikimin e tyre në procese të tjera të ngjashme.
Përderisa është bërë progres i konsiderueshëm në këtë fushë me mbështetjen e BE-së, theksohet që ka nevojë për përpjekje të vazhdueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave për të mirën e qytetarëve të Kosovës.