Mbahet trajnimi për Organizimin e Mirëmbajtjes për Automjete dhe Pajisje
Prishtinë, 10 qershor- Në Brigadën e Reagimit të Shpejt (BRSh), në Istog u realizua trajnimi një ditor ,,Organizmi dhe Mirëmbajtja për Automjete dhe Pajisje, në kuadër të bashkëpunim që ka FSK me Ushtrinë e Republikës së Gjermanisë, e në veçanti për faktin se Brigada për Reagim të Shpejtë është zgjedhur si shembull i mirë i organizimit dhe funksionimit.
Për të parë nga afër mbarëvajtjen e trajnimit, në BRSh qëndruan edhe gjeneral brigade Zymer Halimi, Komandanti i Brigadës për Reagimit të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci, përfaqësues të Departamentit të logjistikës nga MFSK dhe KFT, Këshilltari ushtarak për çështje të Logjistikës në MFSK nga ushtria gjermane, nënkolonel Michael Gierse, përfaqësues nga Ekipi Ndërlidhës Këshillues i NATO-s për MFSK-në(NLAT), shefi i Shtabit, major Ejup Maqedonci, Komandantët e Batalioneve të BRSH-së, shefat e Logjistikës së batalioneve, përfaqësues të sektorëve të logjistikës nga njësitet e Brigadës për Mbështetje Operacionale(BMO), Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), dhe Regjimenti i Mbrojtjes Civile) etj.
Me këtë rast, kolonel Geci, foli për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm që ka FSK-ja me Forcat e Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë dhe kontributin që këta të fundit kanë dhënë në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së në fushën e logjistikës.
Ndërsa sa i përket trajnimit ,,Organizimin e Mirëmbajtjes për Automjete dhe Pajisje, kolonel Xhevahir Geci tha se: ,,Logjistika është një ndër fushat më të rëndësishme për funksionimin dhe operacionalitetin e Forcës tonë. Për të funksionuar ky sektor në mënyrë sa më të mirë nevojitet një planifikim i mirëfilltë dhe një punë e palodhshme në ndërtimin e një sistemi të mirëmbajtjes së pajisjeve dhe automjeteve.
Prandaj, qëllimi i trajnimit të sotëm është që të ju informojmë se si funksionon sistemi i mirëmbajtjes së pajisjeve dhe automjeteve në BRSH dhe gjithashtu së bashku të diskutojmë sfidat me të cilat ballafaqohet ky sektor dhe opsionet se si ti zbusim këto sfida.
Pastaj para të pranishmëve shefi i Shtabit të BRSh-së, major Ejup Maqedonci dhe shefi i Logjistikës së BRSh-së, major Arbnor Zeneli prezantuan mënyrën e organizimit dhe funksionimit të mirëmbajtjes së automjeteve dhe pajisjeve në BRSh.
Pastaj edhe këshilltari ushtarak në fushën e Logjistikës në MFSK nga ushtria gjermane, nënkolonel Michael Gierse, prezantoi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të mirëmbajtjes në Forcat e Armatosura të Republikës së Gjermanisë.
Nënkolonel Gierse tha gjithashtu se: ,,Shkëmbimi i përvojave ndërmjet FSK-së dhe në ketë rast Forcave të Armatosura të Republikës së Gjermanisë është në interes të zhvillimit dhe avancimit të nivelit operacional të FSK-së në fushën e logjistikës.
Gjatë gjithë prezantimeve nga pjesëmarrësit është vërejtur një interesim i madh rreth asaj që BRSh ka arritur të menaxhoj dhe zhvilloj një sistem funksional të mirëmbajtjes se automjeteve dhe pajisjeve, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme dhe janë dhënë rekomandime për ngritjen edhe me shumë të nivelit opracional në fushën e logjistikës në FSK.
Pas përfundimit të prezantimeve, të gjithë pjesëmarrësit vizituan punëtorinë për servisimin e automjeteve në BRSh dhe depon pjesëve rezervë ku u njoftuan në mënyrë të drejtpërdrejtë të shohin se si funksionon sistemi i mirëmbajtjes se automjeteve dhe pajisjeve në BRSh.
Në fund në komentet e tij përmbyllëse gjeneral brigade Zymer Halimi theksoi se; Ju si BRSh keni bërë një punë të madhe dhe nga kjo të gjithë mund të marrim mësim, njëra nga objektivat e KOMFSK-së është edhe vet qëndrueshmëria e njësive, por gjithherë ka hapësirë për avancimi edhe te mëtutjeshme.
Të gjeturat nga kjo punëtori të aplikohen edhe në njësitë e tjera, sepse shembullin e mirë duhet ta marrin edhe të tjerët dhe të praktikojnë në njësi si dhe priten edhe organizime të tjera do të realizohen edhe në njësitë e tjera të FSK-së.