Mbahet takimi përmbyllës i Projektit të Binjakëzimit
Prishtinë, 11 qershor - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt takimi përmbyllës i Projektit të Binjakëzimit i cili ka filluar në mars të vitit 2012. Qëllimi i projektit është përmirësimi i arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha projekti kishte në fokus profesionalizmin e arsimit të lartë për gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
Krijimi i programeve të studimit bachelor i cili do të bazohet në standardet dhe përvojat më të mira evropiane, natyrisht që do të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të profesionalizmit në të gjitha institucionet e përfshira në sundimin e ligjit, tha Zeka.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi vlerësoi se projekti në fjalë ka ndihmuar në ngritjen e profesionalizmit si dhe ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të Sigurisë Publike.
Ai shtoi se projekti do të ketë rëndësi domethënëse për Akademinë dhe Republikën e Kosovës.
Projekti do të përmirësojë kapacitetet e institucioneve të zbatimit të ligjit përmes shërbimeve të trajnimit dhe arsimimit që i plotësojnë standardet evropiane në fushën e rendit dhe sigurisë publike, u shpreh Smakiqi.
Ndërkaq zëvendës kryesuesi i seksionit të bashkëpunimit nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Melvin Asin, duke e vlerësuar procesin e përmbylljes se projektit të binjakëzimit si mjaft të suksesshëm, tha se rendi dhe siguria publike duhet të shihet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Kurse Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Finlandë, Andrei Nahkala, tha se Kosova ka zgjedhur mënyrën evropiane për ta përmirësuar arsimin e lartë në fushën e sigurisë në vend.
Udhëheqësi i projektit të binjakëzimit, Anti Haikio, theksoi se ky projekt është mjaft me rëndësi për të gjitha agjencionet e sigurisë.
Të pranishëm në ketë takim ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së, të EULEX-it, ICITAP, si dhe zyrtarë të kyçur drejtpërsëdrejti në Projektin Binjakëzimit.