Mbahet takimi për personat e zhvendosur nga Kosova
Përfaqësues të qeverive nga Beogradi, Podgorica, Prishtina dhe Shkupi do të paraqesin prioritetet dhe planet e veprimit për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova dhe së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare do të pajtohen për hapat e ardhshëm në kontekst të kësaj nisme.
Takimi është vazhdimësi e Konferencës së Nivelit të Lartë për Zgjidhje të Qëndrueshme për Personat e Zhvendosur e organizuar nga OSBE dhe mbajtur në Shkup në nëntor 2014, kur është marrë vendimi për themelimin e grupit punues.
Gjatë Konferencës së Shkupit, pjesëmarrësit janë pajtuar që të takohen në mënyrë periodike, të shqyrtojnë përparimin e arritur si dhe të ofrojnë përkrahje për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur, qoftë në kthimin e tyre ose integrimin në vendin ku janë të zhvendosur aktualisht.
Takimi do të hapet nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtić, dhe Përfaqësuesi Rajonal i UNHCR për Evropën Jug-lindore, Andrew Mayne.