Mbahet takimi për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz
Prishtinë, 14 qershor Në Prishtinë u mbajt takimi tre palësh për implementimin e protokolleve me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në këtë takim morën pjesë, Koordinatori Kombëtar i Republikës së Kosovës për luftën kundër trafikimit me njerëz, z. Milan Radojevic, Koordinatorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Elona Gjebrea, Koordinatori i Republikës së Malit të Zi, z. Zoran Ulama, koordinatorja e Republikës së Maqedonisë, znj. Anastasije Ilieska dhe përfaqësues të institucioneve të Policisë, Prokurorisë, Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale.
Takimin e hapi koordinatori kombëtar i Qeverisë së Kosovës, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Milani Radojević, i cili theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore është një problem global dhe për një luftë të fuqishme është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal, për këtë arsye ky takim është i rëndësishëm për strategjitë kombëtare për të luftuar trafikimin qenieve njerëzore në tri vendet.
Në takim është shprehur vullneti politik për të zbatuar plotësisht protokollet e nënshkruara dhe të vazhdohet bashkëpunimi në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Në këtë takim u dakorduan që të zbatohen protokollet bilaterale në mes të vendeve nënshkruese të përmendura, të bëhen aktivitete të përbashkëta mbi ngritjen e vetëdijes për këtë problem, të ketë patrulla të përbashkëta policore gjatë sezonit turistik në vendet e përmendura dhe të intensifikohet bashkëpunimit rajonal të katër vendeve në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Ky takim është organizuar nga OJQ, Grupi Këshillues për Sundim të Ligjit dhe është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.