Mbahet takimi i Komiteteve Lokale për Siguri Publike
Vushtrri, 5 qershor - Sot mbahet takimi i 10-të me radhë i Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP), duke filluar nga ora 10:00, në Restorantin Kalaja në Vushtrri.
Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e Komunës së Vushtrrisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Ambasadave të ndryshme, ICITAP-it, KFOR-it dhe OJQ-ve të ndryshme të cilët do të prezantojnë aktivitetet lidhur me punën e tyre në promovimin e sigurisë në bashkësi.
Anëtarët e KLSP-ve shkurtimisht do të prezantojnë disa nga projektet e tyre rreth sigurisë në bashkësi dhe njëherit do flasin për sfidat me të cilat ata ballafaqohen gjatë punës së tyre.
Këshilli Ekzekutiv i KLSP-ve është organ këshillues, koordinues dhe përkrahës për KLSP-të. Roli kryesor i këtij Këshilli Ekzekutiv është të siguroj rrjedhën e informatave me qëllim të shkëmbimit të përvojave të mira.
Këshilli Ekzekutiv i ndihmon anëtarët e KLSP-së të mësojnë nga njëri-tjetri dhe ka për qëllim të përmirësoj bashkëpunimin në mes të forumeve të sigurisë, policisë, partnerëve lokal dhe ndërkombëtar në lidhje me zgjidhjen e problemeve me qëllim të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të kushteve jetësore.
Deri më tani në tërë Kosovën janë të themeluara 35 Komitete Lokale për Siguri Publike.