Mbahet takimi i Këshillit Ekzekutiv të Ekipeve Vepruese për Siguri
Prishtinë, 17 tetor - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ekzekutiv të Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se me themelimin e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi qytetari bëhet pjesë aktive e bërjes së politikave të sigurisë në komunën e vet, krijon partneritet ndërmjet bashkësisë për identifikimin e krimit dhe adresimin e çështjeve të sigurisë.
Jemi të angazhuar maksimalisht në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet dhe strategjitë. Kjo është e mundur përmes krijimit të mekanizmave që shërbejnë për krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët e Kosovës, tha ministri Rexhepi.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku tha se Komuna që udhëheq ai është duke punuar për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët, që siguria e tyre të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilizimit dhe jetës së lirë për të gjitha komunitetet.
Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se për Policinë e Kosovës funksionimi i mekanizmave të sigurisë publike, në veçanti për Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi, do të jenë me rëndësi në përkrahjen e policisë dhe veprimtarive të saja, në përmirësimin reciprok dhe besimit të ndërsjellë, në zvogëlimin e nivelit të kriminalitetit, delikuencës dhe sjelljeve asociale.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka eksperienca të bashkëpunimit me komunitete të cilat mbështeten nga ICITAP dhe OSBE. Me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të EVSB, ai i ka ofruar një zyre dhe kushte tjera të nevojshme për këto.
Këshilli Ekzekutiv i Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi mblidhet dy herë në vit dhe përbëhet nga dy deri në tre përfaqësues të përzgjedhur nga secila EVSB, në nivel të Kosovës. Këshilli Ekzekutivë i EVSB-së paraqet një forum të rëndësishëm kombëtar ndër-komunal për komunikim, bashkëpunim dhe koordinim. Që nga viti 2004 e deri më tani janë mbajtur gjithsejtë 28 takime të Këshillit Ekzekutiv të EVSB.