Mbahet Takimi i 210-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Prishtinë, 16 mars – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Jetish Maloku, mbajti Takimin e 210-të, me ç’rast shqyrtoi dhe miratoi një sërë pikash të rendit të ditës, takim ky, që është mbajtur në përputhje të plotë me masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.
Fillimisht, anëtarët e KPK-së miratuan Raportin e punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2021 dhe themeluan Grupin punues për mbikëqyrjen e Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024.
Gjatë takimit, u miratuan edhe Raporti përmbledhës i Komisionit mbi vlerësimin vjetor të eprorëve për prokurorët me mandat të përhershëm për vitin 2021 dhe Raporti për vlerësimin e performancës së dymbëdhjetë prokurorëve me mandat fillestar, ku këta të fundit do t’i dërgohen Zyrës së Presidentit për dekretim me mandat të përhershëm. Po ashtu, u njoftua për pensionimin e një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Gjithashtu, pas miratimit të kërkesave të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, KPK-ja mori vendim për shpalljen e konkurseve për avancimin e dy prokurorëve në departamentet përkatëse për krime të rënda të këtyre prokurorive.
Më tej, u themeluan dy panele hetimore: njëri ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe tjetri ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në fund të këtij takimi janë mbajtur seanca dëgjimore për rastet disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe një prokurori të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, kurse vendimet përkatëse do të bëhen publike siç parashihet me ligj.
​