Mbahet mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi
Prishtinë, 30 maj - Sot, Komuna e Prishtinës mbajti mbledhjen e dytë për këtë vit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë në Komunën e Prishtinës, si dhe për situatën pas vërshimeve të muajit prill.
Në këtë mbledhje u theksua rritja e numrit të aksidenteve me fatalitet në Komunën e Prishtinës gjatë muajve të kaluar. Me këtë rast, kapitenët e stacioneve policore të Jugut, Qendrës dhe Veriut njoftuan se në fund të muajit prill dhe gjatë muajit majit kanë shpallur Muajin e sigurisë, duke shtuar kështu kontrollin dhe numrin e gjobave në trafik. Kjo ka ndikuar dukshëm në rënien e veprave penale dhe në rënien e numrit të aksidenteve në trafik.
Kapiteni i Stacionit Qendër theksoi se konfiskimi i dokumentacionit posedues në momentin e gjobitjes së qytetarëve ka rezultuar me rritje të ekzekutimit të pagesës së gjobave në njërën anë, dhe me rënie të numrit aksidenteve në anën tjetër.
Kryetarët e Bashkësive Lokale para anëtarëve të këtij Këshilli folën për problemet kryesore me të cilat ballafaqohen nëpër vendbanimet e tyre, e që ndërlidhen direkt me sigurinë e qytetarëve.
Lidhur me vërshimet e muajit prill dhe situatën pas tyre, anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi u informuan se komisioni për vlerësimin e dëmeve ka përfunduar raportin dhe ka vlerësuar se dëmet nga këto vërshime kapin shifrën e rreth 500 mijë eurove. Ky raport do të shqyrtohet më datën 19 qershor në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku do të merret edhe vendimi për hapat e mëtutjeshëm.