16 Janar 2025

Mbahet konferenca vjetor e prokurorëve të Kosovës

Prishtinë, 28 janar - E organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sot në Prishtinë po mbahet konferenca vjetor e prokurorëve të Republikës së Kosovës.

Në këtë konferencë, morën pjesë presidenti Hashim Thaçi, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ambasadorë dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaci, ka thënë se duhet trajtim i barabartë, i pandikuar, për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës dhe në Kosovën e pasluftës.

Ai, duke premtuar mbështetjen e shtetit për prokurorët, ka deklaruar se të gjithë ata që kanë kryer krime, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet të vihen para gjyqit, njofton Klan Kosova.

“Ata njerëz që kanë kryer krimet në Izbicë nuk janë larg. Por kërkoj trajtim të barabartë. Edhe për krimet e kryera ndaj serbëve në Kosovë. Unë kërkoj që të punojmë të gjithë dhe mbështetjen do ta keni. Kështu do të fitojë drejtësia, e vërteta dhe do të ndodhë pajtimi ndëretnik në Kosovë”.

“E di se këto nuk janë populiste, por janë vendime dhe është kjo qasje më e drejtë e mundshme. Të jeni të bindur që do ta keni mbështetjen e plotë të shtetit dhe të autoriteteve ndërkombëtare. Drejtësia nuk duhet në asnjë moment të ndikohet nga emocionet e politikës ditore, apo nga përkatësia etnike”.

Në fjalën e rastit, ministrja Hoxha ofroi përkrahje të plotë dhe theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të jetë sa mё funksional, me qëllim të forcimit të shtetit, aderimit në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar, i plotësimit të standardeve dhe integrimit në BE si dhe është çelësi i zhvillimit ekonomik.

“Edhe pse Ministria e Drejtësisë ka kompetenca mjaft të kufizuara në drejtim të prokurorisë e gjyqësorit, është kënaqësi e jona që të mund t’ju dalim në ndihmë me vendosjen e politikave më të mira për të  funksionuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë."

"Çelës i suksesit të punës së Prokurorit është rritja e transparencës dhe llogaridhënies dhe se në këtë drejtim janë duke u rishikuar një sërë ligjesh, si ai i Kodit Penal, Procedurës penale, Ligji për gjykatat dhe një sërë ligjesh tjera që përmirësojnë efikasitetin e gjykatave. Do ta keni gjithmonë përkrahjen e Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha.

“Me kërkesë të Presidentit, kemi filluar procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Në përgatitjen e ndryshimeve në këto Kode, ne do të përpiqemi që të sjellim praktikat më të mira botërore e të cilat do t’ju mundësojnë prokurorëve, por edhe gjyqtarëve tanë që të luftojnë kriminalitetin në mënyrën sa më efikase. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet problemeve që prokurorët dhe gjyqtarët kanë hasur gjatë punës së tyre për të vënë drejtësi”, theksoi ministrja Hoxha.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha vuri në pah se do të jetë gjithnjë e përkushtuar për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit, njëherit ftoi institucionet gjegjëse që të thellojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se sistemi prokurorial në Kosovë është ballafaquar me sfida të ndryshme gjatë vitit të kaluar, por këto sfida do ta përcjellin këtë sistem gjatë gjithë procesit të integrimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.

Lumezi ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar prokuroria speciale, ka arritur që t’i zgjidhë 162 raste të formave të ndryshme, i ka shënjestruar 33 raste dhe prej tyre ka ngritur 25 aktakuza, që sipas tij, konsiderohen të nivelit të lartë.

"Jemi dëshmitarë se viti 2016 ishte viti me rezultatet më të mira të PRSK që nga formimi i saj. Kjo prokurori ka rritur bashkëpunimin ndërinstitucional për hetimin e rasteve më të rënda dhe gjithsejt nga kjo prokurori gjatë vitit që lamë pas janë zgjidhur 161 raste."

"Nën mbikqyrjen e Kryeprokurorit të PRSK, gjatë këtij viti është funksionalizuar edhe data-baza për rastet e shënjestruara dhe nga 33 raste të shënjestruara janë ngritur 25 aktakuza që ne i konsiderojmë të nivelit të lartë, ndërsa 8 raste tjera presim që t’i përfundojmë brenda gjashtë muajve të ardhshëm", ka potencuar Lumezi.

Qelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë sipas tij është marrja dhe sekuestrimi i pasurisë së fituar me vepër penale, në këtë drejtim prokurorët e shtetit së bashku me prokurorët e Eulex-it gjatë vitit 2016, kanë sekuestruar rreth 60 milion euro, ndërsa kemi konfiskuar 1.4 milion euro.

"Me këtë jo vetëm që kemi ndëshkuar krimin por në disa raste edhe e kemi bërë të pafrytshëm duke ua marur fuqinë ekonomike dhe duke i dobësuar grupet kriminale", ka nëvizuar ai me tutje.  

Ndërsa Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj ka theksuar se për një vit Këshilli ka arritur të sigurojë numër më të madh të prokurorëve duke rekrutuar me sukses 25 prokurorë të rinj dhe së shpejti do të fillojë rekrutimin edhe të një numri tjetër të prokurorëve.
 
Aktualisht ai ka pohuar se po punojnë për avancimin e sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve me qëllim që të kemi prokurorë me integritet, dinjitet, profesional dhe të guximshëm.

Me këtë rast ai ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen në vlerësimin e drejtë të punës së secilit prokuror dhe së bashku të sigurojnë zbatimin e standardeve të larta të performancës, ndershmërisë dhe profesionalizmit.

"Në rrugëtimin tonë po përballemi me sfida të shumta dhe nganjëherë edhe të vështira. Ne ende kemi buxhet të pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat e prokurorëve me stafin e duhur, ende kemi nevojë për një siguri më të madhe dhe kushte më të mira për punë, por të jeni të sigurt se të gjitha këto nevoja janë adresuar te Qeveria dhe partnerët tanë dhe kemi besim që ata do të na ndihmojnë për të arritur plotësimin e nevojave tona."

"Synimet tona kryesore ndër të tjera janë edhe përmirësimi i komunikimit, planifikimi më i mirë, llogaridhënia dhe transparenca. Këto dhe vlera të tjera janë pjesë e aktiviteteve tona të përditshme", ka theksuar Isufaj.

 

Gjatë kësaj konference Kryeprokurori Lumezi, ka ndarë mirënjohje për kontributetet e veçanta të dhëna në rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë për kryeprokurorët që kanë kontribuar për sistemin prokurorial gjatë vitit 2016, si dhe për prokurorët:

Lulëzim Sulejmani, Besa Krasjku, Drita Hajdari, Merita Bina-Rugova, Haxhi Dërguti, Reshat Millaku, Imer Beka, Shyqri Syla, Jetish Maloku, Sylë Hoxha, Shpresa Bakija, Agron Galani, Agron Qalaj, si dhe për zyrtarët e Teknologjisë Informative, Nexhat Haziri dhe Ilir Hetemi.

Gjatë konferencës u paraqitën edhe Objektivat e Prokurorit të Shtetit për vitin 2017, bursat për Studimet në Programin Master të Universitetit Wake Forest në SHBA, sfidat kryesore dhe sfidat për menaxhimin e prokurorisë si dhe hapat konkret për adresimin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)