Mbahet forumi i sigurisë Prishtinë - Beograd - Tiranë
Prishtinë, 28 maj - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizojnё konferencën e përbashkët rajonale "Forumi i Sigurisë Prishtinë - Beograd - Tiranë: të arriturat e marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit - dimensioni i sigurisë ".
Kjo konference një-ditore do të shërbejë si një platformë për të mbledhur ekspertë të pavarur dhe studiues nga rajoni nё kuadër të zhvillimit më të madh aktual në rajon: Marrëveshjës mes Prishtinës dhe Beogradit.
Konferenca do të fokusohet në të arriturat e përgjithshme të marrëveshjes, në mënyrë të veçantë në çështjet e sigurisë dhe të drejtësisë.
Kjo konferencë është mundësi e rrallë ku analistët e pavarur nga Beogradi, Tirana dhe Prishtina do të ofrojnë pikëpamjet e tyre për bashkëpunimin Kosovë-Serbi dhe marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në përgjithësi
Struktura e konferencës do të ndahet në dy pjesë: paneli i parë do të jetë i hapur për akterë relevant dhe media ku do të bëhet prezantimi i pikëpamjeve të tri organizatave partnere mbi sfidat, dobësitë dhe implikimet e marrëveshjes së fundit ne krahasim me praktikat e marrëveshjeve të mëparshme.
Ndërsa pjesa e dytë do të jetë nё formë të analizimit të skenariove nga një numër i përzgjedhur i akterёve të ndryshëm, kryesisht nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë.