Maxhuni, po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA
Uashington, 3 nëntor - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga dy zyrtarë të lartë të stafit të tij, po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi i kësaj vizite është realizimi i disa takimeve zyrtare me përfaqësues të institucioneve policore, për ngritjen e bashkëpunimit policor në fusha të ndryshme.
Ndër takimet më të rëndësishme ishte takimi i realizuar me 2.11.2015, me komisionerin e Policisë së New York-ut z. William Bratton dhe zëvendëskomisionerin për Inteligjencë dhe Kundërterrorizëm z. John Miller.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-se z. Shpend Maxhuni falënderoi z. Bratton për mirëpritjen dhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim me Policinë e Kosovës në fusha të ndryshme të zbatimit të ligjit.
Njëkohësisht drejtori z. Maxhuni njoftoi komisionerin z. Bratton se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është profesionale dhe e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, përfshirë INTERPOL-in, EUROPOL-in etj.
Maxhuni ndër të tjera tha se bashkëpunimi i ndërsjellë dhe përkrahja nga Policia e New York-ut në këtë drejtim është e nevojshme, sepse do të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe të gjitha llojeve të krimit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së.
Nga ana e tij komisioneri i New York-ut z.Bratton, falënderoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Maxhuni për vizitën e tij dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejmë në fushën e luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.
Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së New York-ut, të dy krerët e policive u zotuan për vazhdimin dhe ngritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive si dhe avancimin e përbashkët në fushën e zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i PK-së dhe stafi i tij javën e kaluar ishin pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare të shefave të policisë (IACP) e cila u mbajt në Chicago të SHBA-së.