Mashtroi policinë në një tender, shkon në burg
Prishtinë, 4 mars - Valon Zymberi përfitoi nga mashtrimi mbi 208 mijë euro. Ai kishte konkurruar në një tender të Policisë së Kosovës për blerjen e automjetit që përdoret për shpërndarjen e protestuesve me ujë.
Valoni arriti ta fitonte tenderin, bleu një kamion të thjeshtë, e modifikoi atë në një servis të Mazgitit dhe ua dorëzoi organeve të rendit. Por shumë shpejt u zbulua gjithçka.
Kamioni për bartje të mallrave iu shit policisë si automjet-top uji. Ky automjet shërben për shpërndarjen e protestuesve në rast trazirave, por nëse nuk do zbulohej kjo, policia do ta kryente këtë punë me një kamion, shkruan Express.
Kështu Policia e Kosovës u mashtrua nga një qytetar, i cili i bindi ata që ta fitonte tenderin për furnizim me automjete speciale. E tenderi peshonte goxha rëndë. Në konton e Valon Zymberit u derdhën 208 mijë e 800 euro në emër të fituesit të tenderit.
Por ky person mori një dënim me burg dhe detyrohet që paratë që i ka marrë për tenderin e fituar tia kthejë palës që është dëmtuar, Policisë së Kosovës.