Masakra në Burgun e Dubravës nuk u trajtua nga Tribunali i Hagës
Ky Kallëzim Penal ishte dorëzuar nga KMDLNj përkatësisht nga Prof.Dr.Pajazit Nushi dhe Tahir Demaj i Këshillit Rajonal në Pejë me datë 07.03.2002 në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës për ish Jugosllavini dhe ish protokoluar me numer, NR.18/02.Kallëzimin Penal e kanë përgatitur: Tahir Demaj, Zenel Mekaj, Drita Krasniqi, Mubijene Begolli-Sedefi dhe Muhamet Asanaj.
Kallëzimi Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës është përgatitur në kohë ( viti 2000-2002) dhe është dorëzuar me kohë , më 7 mars 2002.
Mostrajtimi i Kallëzimeve Penale nga Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX edhe për masakrat më të tmerrshme në mesin e të cilave Maskara e Burgut të Dubravës, për nga pesha dhe pasojat mund të krahasohet me Kampin në Aushvic apo Dahau, e bënë të kuptueshëm, pranueshëm dhe ligjor ndryshimin në Kodin Penal të Kosovës nga Ministria e Drejtësisë me të cilin mund të gjykohen dhe denohën në mungesë ata që kanë kryer krime lufte ne Kosovë.
Ndonëse, nga aspekti i të drejtave të njeriut, për shkak të pamundësisëtë sigurimit të një mbrojteje efektive edhe KMDLNJ ka pasur rezerva, në rrethanat ekzistuese kur Serbia është bërë mbledhës dhe mbrojtës i të dyshuarve për krime lufte e që janë larguar nga Kosova dhe kur Serbia refuzon çdo bashkëpunim, për më keq iu garanton mbrojtje dhe përkujdesje shtetërore, gjykimi dhe dënimi për krime lufte në mungesë është mënyra e vetme për të siguruar edhe një drejtësi sado të vogël për viktimat dhe familjet e tyre dhe përgjegjësi për kriminelët.
Me këtë Kallëzim Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës , KMDLNj shpreh respekt për të gjitha viktimat civile dhe ushtarake, familjarët e tyre si dhe për aktivistët e KMDLNj –së që kanë bërë një punë të madhe në dokumentimin e krimeve të luftës dhe që tani nuk janë në mesin e të gjallëve.
Është bërë punë e madhe nga KMDLNj dhe të tjerët në këtë aspekt por e drejta e viktimave për drejtësi është sabotuar nga “drejtësia ndërkombëtare”!
P.S. Si shtojcë të reagimit , KMDLNj ia bashkangjet vetëm fletën e parë të Kallëzimit Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës ndërsa Kallëzimi i kompletuar është në KMDLNj –ë.