Markusz premtoi bashkëpunimin mes Ushtrisë së Hungarisë dhe FSK-së
Prishtinë, 30 shtator - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, priti sot, në një takim zyrtar ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Me këtë rast, Ministri Demolli e njoftoi ambasadorin e Hungarisë, Markusz me të arriturat e FSK-së, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal që ka FSK-ja, duke u fokusuar në veçanti me përgatitjet rreth transformimit të FSK-së, në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Gjatë takimit, Ministri Demolli theksoi bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me Hungarinë si dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi shtroi nevojën për thellimin e bashkëpunimit të MFSK- FSK-së me Ushtrinë e Hungarisë si dhe përcaktimin e fushave përkatëse, me interes të dyanshëm, të bashkëpunimit.
Nga ana e tij, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz shprehi kënaqësinë për pritjen që iu bë nga Ministri Demolli.
Ai premtoi angazhimin e tij për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, në veçanti në mes Ushtrisë së Hungarisë dhe FSK-së.
Në takim morën pjesë; shefi i Kabinetit të Ministrit, z. Xhevdet Halili dhe sekretari i parë i Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, z. Imre Vekas-Kovacs.