27 Janar 2025

Manza: Një Ballkan i qëndrueshëm është në interesin e të gjithëve

Prishtinë, 20 qershor - John Manza, zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për operacione, dje në Prishtinë gjatë një vizite zyrtare ka zhvilluar një intervistë ku ka sqaruar për bashkëpunimin e NATO-s me Kosovën dhe sfidat e ruajtjes së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Si e shihni bashkëveprimin e ardhshëm ndërmjet NATO-s dhe Kosovës?

Manza: Në dhjetor të vitit 2016, Këshilli Veri-Atlantik miratoi një ndërveprim të zgjeruar me Kosovën që tejkalon angazhimin e tanishëm operacional të NATO-s. Ky bashkëveprim do të kryhet kryesisht nga Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s, një ekip i themeluar në Prishtinë në vitin 2016 për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Aktivitetet nën këtë ndërveprim të zgjeruar do të përfshijnë ushtrime të mundshme praktike me pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe shkëmbime mbi qeverisjen e mirë, mbrojtjen kibernetike dhe diplomacinë publike.

Cila është rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë - për Kosovën dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor?

Manza: Gjatë viteve të kaluara, KFOR-i ka garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, në përputhje të plotë me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara. Gjatë konferencës së fundit të forcës, aleatët dhe partnerët përsëritën përkushtimin e tyre për të qëndruar në Kosovë për aq kohë që është e nevojshme dhe përsëri janë bërë pjesë e stafit të KFOR-it në mënyrë që të jetë një forcë e fuqishme dhe e besueshme, e aftë për të kryer misionin e saj. Sot, KFOR-i me përbërjen e tanishme prej 4,200 trupave, konsiderohet nga aleatët dhe partnerët si një garantues thelbësor i stabilitetit jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga perspektiva e Shtabit të NATO-s, si i vlerësoni efektet (të sigurisë dhe politikës) e pranimit të Malit të Zi në NATO për rajonin?

Manza: Pranimi i Malit të Zi do të ndihmojë në konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan, meqë vendet e rajonit që janë bashkuar me Aleancën janë bërë eksportues të stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Një Ballkan i qëndrueshëm është në interesin e të gjithëve. Dera e NATO-s mbetet e hapur për shtetet evropiane që janë në gjendje të ndërmarrin angazhimet dhe detyrimet e anëtarësimit dhe të kontribuojnë në sigurinë në zonën euroatlantike.

Pse regjioni i Ballkanit është kaq i rëndësishëm si pjesë e skenarit të sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare?


Manza: Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Stabiliteti dhe siguria në këtë rajon i kontribuon stabilitetit dhe sigurisë më gjerë në Evropë. NATO do ta ruajë praninë, fokusin dhe angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe do të mbështesë aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë jetike për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal; dhe nëse fqinjët tanë janë të qëndrueshëm, ne jemi më të sigurtë.

Prania e NATO-s në Kosovë daton nga 1999. Situata në Ballkan ka ndryshuar që atëherë. Tani rajoni potencialisht mund të përballet me probleme të reja, si terrorizmi, çfarë bën KFOR-i në këtë drejtim?

 
Manza: KFOR-i është një storje suksesi për Aleancën dhe partnerët tanë. Gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara, KFOR-i ka ndihmuar ta shndërrojë Kosovën në një vend më të sigurtë. Sa i përket terrorizmit, një Ballkan stabil është gjithashtu i rëndësishëm për të adresuar kërcënimin e luftëtarëve të huaj.


Në të njëjtën kohë, procesi i normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po vazhdon dhe NATO plotësisht mbështet dialogun e sponsorizuar nga BE. KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij për të ruajtur një mjedis të sigurtë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, për aq kohë sa është e nevojshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)