04 Maj 2024

Manifestimi Qendror i “Epopesë së UÇK-së” u mbajt në Kazermën “Adem Jashari\"

Prishtinë, 5 mars - Me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, sot në Kazermën “Adem Jashari” të FSK-së, filloi manifestimi “Epopeja e UÇK-së” më 5, 6 dhe 7 Mars, në nderim të Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit.     

Me rastin e 16 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari,  nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, sot më 5 Mars, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt manifestimi qendror “Epopeja e UÇK-së” në të cilën morën pjesë; Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ambasadorë, përfaqësuesi i familjes Jashari Bekim Jashari, ministra, deputet, drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, qytetarë të shumtë dhe nxënës të shkollave të Prishtinës.      

Fillimisht presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i bënë revistë kuadrateve të FSK-së, të rreshtuara në Kazermën “Adem Jashari”. Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, ekzekutuar nga orkestra frymore e FSK-së.
Presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta vendosen kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.  


Në manifestim “Epopeja e UÇK-së”, me një fjalë tematike u paraqitën, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, Hashim Thaçi dhe Bashkim Jashari në emër të familjes Jashari.  
 
Pasi i përshëndeti të pranishmit, presidentja Jahjaga, tha se: “Çdo vit në këtë ditë, ne përkujtojmë dhe nderojmë sakrificën sublime të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin, për lirinë dhe për paqen. Gjithashtu, kujtojmë sakrificën e të gjithë brezave që me idealin e tyre i dhanë jetën dhe shpirtin pavarësisë tonë.


për të përkujtuar se rruga deri këtu ishte e vështirë dhe aspak më e lehtë nuk do të jetë puna dhe angazhimi që po na pret në forcimin e vlerave demokratike deri në arritjen e qëllimeve tona, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Presidentja Jahjaga kërkoi nga të gjithë angazhimin maksimal për ndërtimin e shtetit,

“Sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun, një respekt dhe solidaritet për njëri-tjetrin, një bashkim i forcave tona dhe tejkalim i dallimeve të thella politike për qëllimet madhore të Kosovës.

Na duhet punë dhe sakrificë më e madhe për t’u bërë ballë sfidave në përmbushje të synimeve tona”.


Presidentja në fund tha, se synimi ynë është që vendit tonë duhet t’i krijojmë një të ardhme të qëndrueshme, një Kosovë stabile që do të mbetet rrëfim suksesi i përbashkët i yni dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe një vlerë e shtuar për aleatët tanë strategjikë” përfundoi fjalën e saj, z. Jahjaga, në manifestim e 5 marsit, në Kazermën “Adem Jashari” të FSK-së.


Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se me luftën e drejtë, vendosmërinë heroike dhe mbështetjen ndërkombëtare Kosova realizoi ëndrrën më të lartë të saj - lirinë. Më tej Kryeministri shtoi: “Në themelet e kësaj ëndrre qëndron mundi dhe djersa  qytetarëve tanë e mbi të gjitha gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve të lirisë”. Prandaj tha i pari i Qeverisë, me respekt përjetë përulemi para sakrificës së dëshmorëve të lirisë.


Krymeministri Thaqi tha gjithashtu se dëshmi e përkushtimit tonë institucional për perspektiven tonë euroatlantike jeni vetë ju të nderuar pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës, që me profesionalizmin tuaj bëni që të gjithë ne të jemi krenarë. 


Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë profesionale dhe multietnike, do të vazhdojmë të zhvillohemi sipas standardeve dhe natyrisht në të ardhmen e afërt edhe pjesë e NATO-s. Gjithashtu Kryeministri tha se  në prag të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të Epopesë së UÇK-së, dje është marrë vendimi për themelimin e Forcave e Armatosur të Kosovës dhe urimet e para ia drejtoi ushtarëve të Forcave të Armatosura të Kosovës.


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati në manifestimin qëndror u shpreh se në këtë 16 vjetor të legjendës kombëtare, ne, tha Ai, “vijmë me avancime të institucionit tone”, duke shtuar se  Institucioni i FSK-së po tregon në vazhdimësi, disiplinë, profesionalizëm, përkushtim dhe gatishmëri për avancim drejt përgjegjësive kombëtare e ndërkombëtare, duke ndihmuar vendin tonë në synimin e tij, anëtarësimin në familjen e madhe të sigurisë globale.


Më tej gjeneral Kastrati tha se sot në këtë përvjetor legjendash, në nderim të kësaj ngjarje të madhe emblematike janë rreshtuar para nesh kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kuadrate që tregojnë përkushtimin e Kosovës që ka bërë për të ndërtuar Forcat e veta Ushtarake. Forcë të cilën e kishin ideuar dhe vulosur me sakrificën dhe heroizmin e tyre Komandanti Legjendar ADEM JASHARI dhe bashkëluftëtarët e tij, përfundoi komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati.
Në emër të Familjes Jashari, përshëndeti Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, i u shprehu lavdi të gjithë atyre që ranë për Liri, dhe njëherit kërkoi jetësimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.


Në fund u zhvillua parada e kuadrateve të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës nën intonimin e marshit ushtarak, të ekzekutuar nga Orkestra Frymore e FSK-së.        


Kurse Komandantit i FSK-së, gjeneral Kastratit me rastin e 5 Marsit, “Ditët e Rezistencës”, ka deklaruar se sot, në përvjetorin e 16-të të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, ne pjesëtarët e FSK-së, si e gjithë Kosova dhe tërë populli shqiptar, kujtojmë heroizmin dhe madhështinë legjendare të Jasharajve, kujtojmë Kullën ku prehej nderi shqiptar, Kullë e cila kishte brenda zemrën e madhe të Komandantit Legjendar të luftës për Liri, Adem Jasharit, plakun fisnik Shaban Jasharin, trimin e paepur Hamzë Jasharin, nipat dhe mbesat e Shotë e Azem Galicës.

\"Ne sot kujtojmë me krenari vendimin legjendar të Jasharajve,  “Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne sesa Atdheu”, kishin thënë të gjithë Jasharajt, në Kullë. Ne sot kujtojmë jehonën e pushkëve dhe këngën e trimave që po shkruanin simfoninë e qëndresës së pamposhtshme. Jehonë e cila po prekte rrënjët dhe majën e historisë së luftës për liri. Kujtojmë Kullën e Jasharajve që u bë muranë e lirisë\", ka theksuar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)