Maloku: Arrestimet e përmirësojnë imazhin e shtetit
Prishtinë, 11 gusht - Arrestimi i dyzetë personave të dyshuar për pjesëmarrjen e tyre në luftërat në Siri dhe Irak, nuk është i pari që organizohet në Kosovë.
Por, ky është numri më i madh i të arrestuarve që dyshohet se janë pjesë e organizatave të shpallura terroriste në Siri dhe Irak.
Analistët që merren me çështjen e sigurisë theksojnë se Kosova nuk ka qenë shumë e vëmendshme kur ka nisur konflikti në Siri.
Eksperti i kësaj çështje Naim Maloku, i ka thanë Radio Kosovës se arrestimet janë të domosdoshme dhe kjo e përmirëson imazhin e shtetit në luftimin e terrorizmit.
Arrestimet që ndodhin vetëm sa e përmirësojnë imazhin e Kosovës dhe institucioneve të sigurisë në vend. Pra, Kosova ka të bëjë me përmirësimin e imazhit, theksoi ai.
Por, Maloku shton se Kosova dhe Shqipëria ende vazhdojnë të mbesin si dy vende të rrezikuara nga ekstremizmi radikal.
Sa i përket implikimit të shqiptarëve atje ne nuk kemi së çka humbim më. Pra, Kosova dhe shqiptarët janë dëmtuar dhe të gjitha agjencitë botërore që merren me praktikat e sigurisë Shqipërinë dhe Kosovën i shohin si dy shtete që janë potencialit të rrezikuara nga ndikimi dhe influenca e atij konflikti sektar atje, tha ai.
Ndryshe, arrestimin e 40 të dyshuarve për terrorizëm e kanë mbështetur edhe institucionet shtetërore. Presidentja Jahjaga, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit.
Gjithashtu, edhe Qeveria e Kosovës ka mbështetur operacionin e ndërmarrë në nivel vendi për arrestimin e elementeve ekstremistë të cilët me veprimet e tyre kanë kërcënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
Në një komunikatë për media Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që me këmbëngulje të kundërshtojnë çfarëdo forme të shprehjes së ekstremizmit.