Mali i Zi dhe Kosova bashkë kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Prishtinë, 29 mars - Koordinatori Nacional i Republikës së Kosovës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasa Rasic, ka pritur sot në një takim zyrtar, homologun e tij nga Republika e Malit të Zi, Zoran Ulama. Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Koordinatori Nacional, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Sasa Rasic ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm me Malin e Zi në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe vlerësoi se ky është një fenomen që përshinë shumë shtete dhe ka karakter transnacional.
Ndërsa Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore i Malit të Zi, Zoran Ulama, theksoi se është shumë e rëndësishme që të bëhet identifikimi i personave që shfrytëzohen për lypësi dhe ata që shfrytëzohen për punë të detyrueshme, sidomos gjatë sezonës së ndërtimeve dhe sezonës turistike.
Të dy koordinatorët kanë kërkuar shtimin e bashkëpunimit në luftë kundër kësaj dukurie, sidomos të bashkëpunimit të dy policive të dy vendeve, prokurorëve, inspektorëve të punës dhe të institucionale që merren me mirëqenien sociale.
Ky është takimi i parë, që do ti paraprijë edhe dy takimeve të ardhshme që do të zhvillohen në muajt në vijim, që do të përmblidhen me nënshkrimin e një marrëveshje të bashkëpunimit mes dy vendeve.