Malazezi Safet Kaliç dyshohet se fshihet në Kosovë
Podgoricë, 12 shtator - Malazezi Safet Kaliç, një biznesmen i dyshuar për pastrim parash që po ndiqet nga policia e Malit të Zi, dyshohet se po fshihet në Kosovë.
Policia malazeze është vënë në ndjekje të biznesmenit 42 vjeçar, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Malit të Zi ka lëshuar fletëarrestin ndërkombëtar për kapjen e tij me dyshimin për pastrim parash. Ai akuzohet së bashku me vëllain e tij dhe bashkëshorten.
Kaliç vlerësohet se ka një pasuri shumë milionëshe, ndërsa e tërë ajo dyshohet se është përfituar përmes rrugëve ilegale dhe bizneseve të paligjshme.
Sipas mediave malazeze, ai kërkohet për pastrimin e 8 milion eurove. Jozyrtarisht mësohet se Kaliç po qëndron i fshehur në Kosovë, ndërsa një periudhë ishte fshehur edhe në Tërnoc në Luginën e Preshevës.
Kaliç gjithashtu u përmend në operacionin e arrestimeve të disa kriminelëve të njohur serb në Beograd, si dhe në rastin e operacionit Sablja. Ai dyshohet për bashkëpunim me bosët e drogës në Serbi.