25 Dhjetor 2024

Makolli i shkruan letër ambasadorit zviceran në Kosovë

Prishtinë, 18 gusht - Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, ia ka dërguar një letër ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger, në të cilën shpreh shqetësimin lidhur me aktet e fundit kriminale, që u shkaktuan nga qytetarë me prejardhje nga Kosova.

Ai më tej shprehet se këto raste makabre, janë raste individuale kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës.

“Ndjehemi thellësisht të shqetësuar me aktet e fundit kriminale që ndodhen në Zvicër, ku u plagos rëndë i nderuari z. Karl Zingrich, anëtar i Swiss People's Party, ndërsa në një rast tjetër e humbi jetën punonjësja e shërbimeve sociale në Pffafikon të Cyrihut”, thuhet në letrën e Makollit.

Në këtë letër po ashtu thuhet “Na lejoni t’ia shprehim hidhërimin dhe indinjatën tonë të thellë popullit zviceran, qeverisë së shtetit të Zvicrës, duke i dëshiruar z. Zingrich shërim sa më të shpejtë ndërsa familjes së punonjëses së shërbimeve sociale ngushëllimet më të sinqerta”.

Makolli më tej shprehet se ndonëse dihet që keqbërësit nuk kanë përkatësi etnike dhe të tillë në radhët e veta kanë të gjithë popujt, “e shfrytëzojmë këtë rast tragjik ta ritheksojmë se Zvicra ka qenë dhe do të mbetet atdheu i dytë i të gjithë kosovarëve të cilëve ajo u ofroi mikpritje dhe mundësi që të integrohen në shoqërinë zvicerane”.

Ai thekson se mbetet e përjetshme mirënjohja e mijëra familjeve kosovare, të cilat në kohët më të vështira u strehuan dhe siguruan ekzistencën në Zvicër.

“Shteti i Zvicrës është pjesë e mijëra familjeve kosovare andaj çdo ngjarje tragjike që ndodh në këtë vend, populli kosovar e ndjen si të vetën. Andaj, edhe këto ngjarje tragjike e kanë tronditur thellë çdo qytetarë të Kosovës, e cila kurrë nuk do të shkel mbi përkrahjen dhe ndihmesën që ia ka ofruar dhe vazhdon t’ia ofrojë shteti mik, Zvicra. Jemi të bindur se këto akte vandale me asgjë nuk do ta njollosin ndjenjën e thellë të kosovarëve për Zvicrën mike të shtetit tonë”, thuhet më tej në letrën e ministrit Makolli dërguar ambasadorit zviceran në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)