Majko:Të gjithë duhet të jemi në krah të UÇK-së
Tiranë, 27 prill - Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, është përfshirë në debatin e nisur nga ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, e në të cilin është përfshirë edhe kryeministri Isa Mustafa.
Ky debat kishte nisur kur ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi, tha se Kosova kurrë sdo të çlirohej po të varej nga Ibrahim Rugova dhe se politika e Rugovës ishte pa krye, kurse Kosova u çlirua falë kontributit të djemve të UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar. Pastaj ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa duke e quajtur Klosin gojë të keqe.
E ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, thotë që Rugova të ketë qenë tradhtar i Kosovës, kjo është po aq e vërtetë sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë, duke ironizuar me shpalljen e tij veteran i luftës së UÇK-së.
Deklarata e plotë e Pandeli Majkos:
Lexova në media qe veterani i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm presidentin e nderuar Rugova. Që Ibrahim Rugova të ketë qenë tradhtar i Kosovës, kjo është po aq e vërtetë sa Klosi të këtë luftuar me armë në dorë.
Sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare. Ajo do të gjykojë protagonistet e Luftës së shqiptarëve.
Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë. Të gjithë duhet të jemi në krah të UÇK-së, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilët u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës. Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja.
Kjo dhe të tjera, janë arsyeja që mendoj se debatet shterpe me heronj dhe tradhtarë për Luftën e Kosovës janë në kohen dhe vendin me të keq për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Shpresoj të jetë rastësi.