Lushtaku po hetohet edhe për kërcënimin ndaj gazetarit Adem Meta
Prishtinë, 17 prill - Ka vazhduar gjykimi kundër krytarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut në rastin e kërcënimit ndaj gazetares Jeta Xharra.
Por, në këtë seancë është bërë e ditur se kryetari i Skenderajt po hetohet edhe për kërcënimin që i ka bërë gazetarit të Kohës Ditore, Adem Meta.
Meta ka qenë dëshmitar i prokurorisë dhe ka treguar se Lushtaku e ka kërcënuar disa herë, madje ka tentuar ta sulmojë fizikisht më 9 mars 2012, në një restorant në Skenderaj.
Ai ka treguar se si Lushtaku e kishte thirrur në një takim duke ia treguar një email që e kishte nxjerrë nga adresa e tij personale dhe në të cilën Meta komunikonte me eprorët e tij të gazetës në Prishtinë, transmeton Koha.
Lushtaku e ka përdorur edhe këtë seancë për ta fyer Metën, duke i thënë se nuk peshon as 30 kilogramë bashkë me shtrat, gjë që e ka bërë gjykatësin Vladimir Mikula ta paralajmërojë se mund ta dënojë me gjobë nëse vazhdon në atë mënyrë.