Lushtaku me probleme shëndetësore, ndërpritet seanca gjyqësore
Prishtinë, 16 korrik - Seanca gjyqësore ndaj pjesëtarëve të Grupit të Drenicës, e filluar rreth orës 10, ka përfunduar sot para kohe për shkak të problemeve shëndetësore të të pandehurit Sami Lushtaku.
Marrja në pyetje e Dëshmitarit A nga avokati Mexhit Syla është lënë që të vazhdojë nesër në orën 9:30.
Dëshmitari A ka thënë se nuk është marrë kurrë me punë të këqija
Gjatë seancës së sotme, Dëshmitari A iu është përgjigjur përmes video-linkut pyetjeve të avokatëve të Sahit Jasharit, Jahir Demakut dhe Sylejman Selimit.
Aktakuza i ngritur nga një prokuror ndërkombëtar e ngarkon Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Sahit Jasharin, Sabit Gecin, Avni Zabelin e Jahir Demakun me akuza për krime lufte të kryera gjatë vitit 1998 në Likovc të Skënderajt.
Seanca ka filluar me gjysmë ore vonesë ndërsa Tahir Rrecaj, avokat i Sahit Jasharit, e ka pyetur dëshmitarin nëse gjatë qëndrimit të tij në burgun e Likovcit, e kishte takuar ndonjëherë klientin e tij në dhomën e madhe të burgut apo në dhomën ku po mbahej ai.
Jo nuk e kam takuar asnjëherë mirëpo disa herë e kam parë nga dritarja të veshur me uniformë dhe të armatosur në oborr, tha dëshmitari.
Ndërsa Mexhit Syla, avokat i Jahir Demakut, është interesuar të dijë për gjendjen ekonomike të familjes së dëshmitarit gjatë asaj kohe duke e pyetur se çka ka punuar dhe me çka e ka mbajtur familjen.
Asnjëherë nuk kam punuar në punë të shtetit. Nuk jam marrë me punë të këqija dhe familjen e kam mbajtë me punë krahu, tha dëshmitari.
Kur është pyetur se sa herë kishte dhënë deklaratë në prokurori për dëshminë e tij, dëshmitari është përgjigjur se është marrë në pyetje shumë herë nga policia dhe prokuroria, derisa e ka kompletuar deklaratën, por nuk ka mundur të japë një numër konkret.
Avokati Syla ka tentuar ta marrë përgjigjen konkrete, ndërsa këtu ka ndërhyrë prokurori duke thënë se kjo pyetje nuk është relevante.
Por kryetari i trupit gjykues e ka lejuar avokatin të vazhdojë me pyetje për ta sqaruar sa herë është marrë në pyetje ky dëshmitar.
Megjithatë kryetari i trupit gjykues i tha Mexhit Sylës të mos nxjerrë konstatime sepse detyra për të nxjerrë konstatime i përket vetëm gjykatësit.
Dy javë më parë, kur qe marrë në pyetje nga prokurori i rastit, Dëshmitari A kishte thënë se gjatë qëndrimit në burgun e Likovcit e kishte parë një regjistër pushkatimi.
/Kallxo.com/