Lumezi, po qëndron për vizitë pune në Republikën e Turqisë
Ankara, 28 tetor - Me ftesë të Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë, një delegacion nga sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Aleksandër Lumezi, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës, po realizon një vizitë pune në institucionet e drejtësisë së Republikës së Turqisë.
Gjatë qëndrimit në Ankara delegacioni nga Kosova është pritur në takime të ndara nga drejtues të institucioneve më të larta të drejtësisë turke, duke filluar me Kryeprokurorin e Republikës pranë Gjykatës së Kasacionit, që është niveli më i lartë i sistemit të prokurorisë në Republikën e Turqisë, me Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën për Zgjidhjen e Konfliktit të Kompetencave, Gjykatën e Lartë Administrative dhe Akademinë e Drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve delegacioni nga vendi ynë është njoftuar për së afërmi me organizimin dhe funksionimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Turqisë. Me këtë rast Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar bashkëbiseduesit lidhur me strukturën e sistemit prokurorial të Kosovës, objektivat e Prokurorit të Shtetit, si dhe me sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion. Me theks të veçantë në këto takime është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, kriminit transnacional dhe luftën kundër terrorizmit.
Gjithashtu, është biseduar edhe për format e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë së dy vendeve, ku konkretisht është rënë dakord për shkëmbimin e përvojave në shërbim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës.
Kryeprokurori Lumezi, duke falënderuar institucionet e drejtësisë së Republikës së Turqisë për ndihmën e vazhdueshme dhënë institucioneve të drejtësisë së vendit tonë, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta, ftoi krerët e institucioneve më të larta të drejtësisë turke për vizitë pune në Kosovë.