Lumezi kërkon trajtimin e shpejtë të rasteve gjyqësore ndaj gazetarëve
Prishtinë, 20 korrik - Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, priti sot në takim pune Lydia Gall, dhe Judith Sunderland, hulumtuese për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor në Human Rights Watch.
Të dy mysafiret e njoftuan kryeprokurorin Lumezi me raportin e publikuar nga kjo organizatë për lirinë e shprehjes së mediave në Ballkanin Perëndimor. Sipas tyre problematikat e gjetura, të cilat e vështirësojnë punën e gazetarëve në Ballkanin Perëndimor janë: sulmet fizike ndaj gazetarëve, ndërhyrjet politike në media, fushatat mediale që dëmtojnë gazetarët dhe paditë e shumta civile për shpifje kundër gazetarëve.
Ndërkaq, kryeprokurori Lumezi i njoftoi mysafirët se me ardhjen e tij në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, ka bërë identifikimin e rasteve nëpër prokurori, ku gazetarët janë persona të dëmtuar, të cilat ka kërkuar nga prokurorët të trajtohen me prioritet.
Gjithashtu kryeprokurori Lumezi njoftoi se nga 1 qershori ka hyrë në fuqi edhe strategjia për reduktimin e lëndëve në prokurori, në kuadër të së cilës do të hyjnë edhe rastet e lehta të gazetarëve, të cilat do të përfundojnë me metoda alternative, si në ndërmjetësim, me pezullim të procedurës ose me negocim të marrëveshjes së fajësisë.
Përfaqësueset e Human Rights Watch e përgëzuan kryeprokurorin Lumezi, për angazhimin e tij për përfundimin sa më të shpejtë të këtyre rasteve, duke e inkurajuar që të vazhdoj punën edhe më tutje me këtë vullnet dhe angazhim të treguar.