12 Maj 2024

Luftëtarët e huaj në Siri, kërcënim për SHBA

Washington, 29 mars - Përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur luftimet në Siri nuk kanë arritur t\'i japin fund konfliktit, ndërkohë që kryengritësit vazhdojnë betejën me qeverinë e Presidentit Assad, pa shenjat e ndonjë fitoreje në horizont.

Përfshirja e militantëve të huaj në konfliktin sirian e ndërlikon edhe më shumë gjendjen. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim ndikimit që kanë patur luftëtarët e huaj.

Konflikti në Siri ka hyrë në vitin e katërt dhe Kombet e Bashkuara thonë se luftimet kanë lënë më shumë se 100 mijë të vdekur.

Ndërsa regjimi i Assadit është duke u përpjekur të shtypë kryengritjen, grupet rebele po kundërpërgjigjen me përkrahjen e një pjese të mirë të popullsisë siriane si dhe me mbështetje nga jashtë, duke përfshirë disa luftëtarë të huaj që shkojnë në Siri për të luftuar përkrah tyre.

Këta luftëtarë të huaj vijnë nga disa vende, thotë Daniel Serwer, studiues në Institutin e Lindjes së Mesme dhe profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, Johns Hopkins:

\"Ata janë kryesisht nga Lindja e Mesme. Por ka edhe nga Evropa dhe madje edhe nga Shtetet e Bashkuara. Disa janë nga Pakistani, sipas njoftimeve. Ky është problem serioz.\"

Në Shqipëri, në fillim të këtij muaji u arrestuan tetë persona, të cilët dyshohen se kanë rekrutuar të pakëtn 50 besimtarë myslimanë që janë dërguar për të luftuar në Siri. Në rrjetet sociale u gjetën mesazhe audio ku njëri ndër organizatorët bënte thirrje për t’u përfshirë në konfliktin sirian.

Zoti Serwer thotë se edhe pse të huajt që dërgohen në Siri luftojnë kundër regjimit të Assadit, i cili kritikohet ashpër nga Uashingtoni për shkelje të të drejtave të njeriut, këta militantë të radikalizuar janë një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara:
 
\"Është e qartë se Siria, ose pjesë të Sirisë, rrezikojnë të kthehen në strehë për ekstremistët dhe një ditë ata mund ta përdorin këtë strehë si një platformë për sulme kundër Shteteve të Bashkuara. Kjo ka ndodhur me Jemenin, me Pakistanin dhe me Afganistanin.\"

Ekspertët gjithashtu thonë se shumë sirianë janë në mëdyshje për t\'u bashkuar me forcat anti - Assad për shkak të pranisë së luftëtarëve të huaj në radhët e tyre. Fragmentimi i grupeve rebele është në dobi të regjimit të Assadit, thotë Leila Hilal, eksperte për Sirinë në Fondacionin New Amerika:

\"Opozita që është duke luftuar kundër regjimit të Assadit është e ndarë në fraksione gjithnjë e më shumë. Atje ka rreth 5.000 brigada të ndryshme luftarake. Pra, pa bashkimin e luftëtarëve të opozitës është shumë e vështirë që operacioni të ketë sukses.\"

Bisedimet e paqes mes regjimit të Asadit dhe forcave rebele nuk kanë dhënë asnjë rezultat pozitiv. Zonja Hilal thotë se kriza në Ukrainë i ka pakësuar më tej shpresat për një zgjidhje diplomatike të konfliktit:

\"Ndikimi që çështja e Krimesë ka në Siri është se kjo po minon aftësinë e Rusisë dhe SHBA për të punuar së bashku drejt një zgjidhjeje diplomatike për Sirinë.\"

Kriza në Siri ka bërë që më shumë se dy milion e gjysmë njerëz të largohen nga vendi dhe të kthehen në refugjatë. Ekspertët theksojnë se vonesat e mëtejshme në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit vetëm se do ta rëndonin krizën humanitare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)