Lorik Ramaj shpallet Ushtari i vitit 2018
Prishtinë,
27 prill - Në Kazermën "Adem Jashari’’ të Komandës së Forcave Tokësore
të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot solemnisht, u shpallën rezultatet e
Garës ndërkombëtare dhe të Garës së FSK-së "Ushtari më i mirë i vitit
2018’’.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha,
zëvendës ministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant
Rrahman Rama, oficerë të lartë të FSK-së, KFOR-it si dhe oficerë e
atashe të shteteve partnere të FSK-së.
Rezultatet më të mira të garës së FSK-së dhe çmimin e parë "Ushtari i
vitit 2018’’ e fitoi tetar Lorik Ramaj, pjesëtarë i Brigadës për Reagim
të Shpejtë, ndërsa rezultatet më të mira dhe çmimin e parë të garës
ndërkombëtare e fitoi, OR- 6 Vladimir Haxhiaj, pjesëtarë i Forcave të
Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se
kjo garë tashmë është bërë internacionale dhe qëllimi i saj është që të
promovojë shpirtin garues të ushtarëve dhe të rrisë motivimin e tyre,
si dhe shprehu admirimin që në këtë garë kanë marrë pjesë ushtarak nga
tetë shtete partnere me gjithsejtë 17 garues.
"Unë i falënderoj shtetet partnere, të cilat i janë përgjigjur
pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në këtë garë. Ju tashmë keni
krijuar ura të bashkëpunimit, dhe njëkohësisht keni krijuar lidhje
shoqërore, e që është njëra ndër qëllimet kryesore të kësaj gare.
"Ushtarë të nderuar, ju duhet të ndjeheni krenar me arritjet e juaja,
dhe kjo dëshmon se jeni të gatshëm për tu ballafaquar me sfidat që na
vijnë në të ardhmen. Pa dyshim se ju jeni model i një ushtari të
kompletuar, dhe besoj se njohuritë tuaja do i ndani në njësitë ku ju
shërbeni. Vetëm kështu, duke i ngritur standardet ne ecim drejt
përmirësimit dhe zhvillimit të Forcës’’.
Ndërsa, rreshter majori i parë i FSK-së, Genc Metaj theksoi se gara e
"Ushtarit më të mirë për vitin 2018’’, si në nivel të FSK-së ashtu edhe
atë ndërkombëtarë është planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar nga
nënoficerët e FSK-së, dhe zbatimi i suksesshëm, i një aktiviteti të
tillë, është treguesi më i mirë se kemi krijuar një trupë profesionale
të nënoficerëve.
Dua ti falënderoj vendet pjesëmarrëse, e në veçanti rreshter majorët për
gatishmërinë për të dërguar ushtarët e tyre në këtë aktivitet.
Gjithashtu, dëshiroj të shprehë mirënjohje të sinqertë për të gjithë
garuesit ndërkombëtar dhe të FSK-së, për disiplinën, përkushtimin dhe
profesionalizmin që treguan gjatë gjithë kohës. Gjithashtu shprehë
mirënjohje për shoqëruesit e garuesve ndërkombëtar dhe vizitorët që me
prezencën e tyre bënë që ky aktivitet të jetë edhe më madhështorë.
Në fund të ceremonisë u shpallën rezultatet e të dyja garave, kështu
garën "Ushtari më i mirë i vitit 2018’’, në nivel të FSK-së e fitoj
tetar Lorik Ramaj, vendin e dytë tetar Berat Babaj, të dy këta pjesëtarë
të Brigadës për Reagim të Shpejtë, dhe vendin e tretë ushtar Egzon
Jashari, pjesëtarë i Brigadës për Mbështetje Operacionale.
Ndërsa fitues të garës ndërkombëtare "Ushtari më i mirë i vitit 2018’’ e
fituan: vendin e parë ushtaraku nga Shqipëria, OR-6 Vladimir Haxhijaj,
vendin e dytë, tetar Joery Hinssen, dhe vendin e tretë, ushtar Aaron
Braun nga Forcat e Armatosura të Kanadasë.
Gara e ushtarit më të mirë, e mbajtur në nivel të FSK-së nga viti 2014,
është zhvilluar nga data 23 prill deri me 27 prill 2018, ku ushtarë dhe
nënoficer nga të gjitha njësitë e FSK-së dhe nga vendet partnere
pjesëmarrëse garuan së bashku dhe treguan përkushtim dhe
profesionalizëm të lartë gjatë ekzekutimit të gjitha detyrave të
parashtruara.
Në këtë garë morën pjesë 22 garues nga FSK, të cilit kanë garuar për
ushtarin më të mirë të FSK-së, dhe 17 garues ndërkombëtar nga:
Shqipëria, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Britania e
Madhe, dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.