Lirohen aktivistët e Vetëvendosjes
Prishtinë, 5 shtator - Prokuroria komunale e Prishtinës hoqi dorë nga padia kundër 32 aktivistëve, të cilët u arrestuan të shtunën gjatë aksionit protestues ndaj negociatores Edita Tahiri.
Me këtë rast 30 nga ta u liruan me procedurë të rregullt, ndërkaq Rron Gjinovci dhe Durim Jashari vazhdojnë të mbahen në burg lidhur me aksionin protestues të mëhershëm në rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Mbajtja në paraburgim prej 48 orësh e aktivistëve, ishte vazhdim i aksionit ndëshkues të Qeverisë së Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje!, i cili filloi me intervenimin brutal të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, me çrast u lënduan 7 aktivistë, të cilët u rrahën edhe brenda në furgona të policisë.
Lëvizja Vetëvendosje! shpreh indinjatën e saj të thellë për këto veprime të policisë, që qartazi kishin urdhër politik nga Qeveria e hidhëruar për shkak të demaskimit të politikës së saj antikombëtare nga ana jonë.
Lëvizja Vetëvendosje! thekson edhe një herë se do ti luftojë këto veprime me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, qofshin ato institucionale apo jashtëinstitucionale, deri sa të gjitha proceset negative, siç janë negociatat e padrejta me Serbinë, procesi i privatizimit të pasurisë publike të ndërpriten dhe secili proces që dëmton të ardhmen e vendit. Për këtë na obligon vullneti politik i këtij populli, të cilit i jemi vënë në shërbim.