Lirimi i tre shtetasve serbë nga Policia konsiderohet si hap i çuditshëm
Prishtinë, 28 shkurt - Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të përbashkët për media kanë folur rreth zhvillimeve të fundit nga situata e krijuar pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për rastin e arrestimit të tre shtetasve serbë nga Policia e Kosovës.
Ky konflikt, tha zëvendëskryeministri Bislimi, na tregoi se sa i rëndësishëm është krijimi i një fronti të përbashkët mes të gjitha demokracive për të pamundësuar që iniciativat e tilla ushtarake të finalizohen me sukses.
“Sanksionet e vendosura nga BE, SHBA dhe vendet tjera, e të cilave i është bashkëngjitur menjëherë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, besojmë se do dobësojnë fuqishëm qeverinë e MoskÑ‘s dhe ndikojnë në tërheqjen e tyre nga planet për Ukrainën”, vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur rreth një rasti konkret të arrestimit nga Policia e Kosovës të tre shtetasve serbë të cilëve iu ishin gjetur pesë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, pra të shtunën; kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.
Ministrja Haxhiu lirimin e këtyre personave e ka vlerësuar si hap të çuditshëm, duke thënë se ‘fakti që personat në fjalë nuk janë mbajtur as 48 orë në Stacion Policor, tregon mospërfilljen ndaj cenimeve të mundshme të sovranitetit dhe integritetit territorial’.