13 Maj 2024

Limaj, sot merret në pyetje nga EULEX-i

Prishtinë, 19 prill - Deputeti Fatmir Limaj sot do të merret në pyetje nga një prokuror i EULEX-it lidhur me dyshimin për korrupsion.

Limaj pritet të intervistohet për herë të fundit para se prokurori të marrë ndonjë vendim për ngritje të aktakuzës apo pushim të hetimeve. Të hënën, ndërkohë, përfundon afati ligjor për zhvillim të hetimeve të mëtutjeshme.

“ Limaj është ftuar për një intervistë që është edhe e fundit në kampin ‘Alfa Bravo’ në Fushë-Kosovë. Në këtë intervistë që është e treta e zhvilluar me të dhe e fundit pritet të sqarohen disa detaje rreth dyshimeve për krime ekonomike që rëndojnë mbi të”, ka thënë burim i KD në kushte anonimiteti.

Në terren, ndërkaq, hetues të EULEX-it po kërkojnë prova kudo kundër ish-ministrit të Transportit. Ata kanë prerë asfaltin në shumë rrugë të shtruar në kohën sa Limaj ishte ministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit për të parë nëse ndonjë centimetër asfalt është vjedhur.

Burime të afërta me procesin kanë thënë se hetuesit nën drejtimin e dy prokurorëve po nxitojnë për të mbledhur sa më shumë prova deri më 23 prill kur edhe përfundon afati ligjor i hetimeve. Pas kësaj date hetuesit nuk kanë më shumë mandat për mbledhjen e provave.

“Ekspertë të EULEX-it kanë prerë asfaltin në magjistralen Prishtinë-Sllatinë, Prishtinë-Lipjan e rrugë të tjera duke marrë pjesë të asfaltit për të analizuar nëse është shtruar sipas projektit apo është vjedhur ndonjë centimetër. Po kështu me këtë pritet të vërtetohet edhe cilësia e asfaltit”, ka thënë burimi.

“Koha Ditore” i ka parë hetuesit të premten në Sllatinë, duke prerë asfaltin. Një grup ekspertësh dhe policësh po punonin intensivisht me mjete të posaçme për prerje dhe matje të trashësisë së cilësisë së asfaltit.

Marrjen e mostrave nga rrugët tërthorazi e ka konfirmuar edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nëpërmjet zëdhënësit, Blerim Krasniqi, ka thënë se EULEX-i nuk mund të komentojë rreth detajeve të rastit.

“Megjithatë, ne mund të konfirmojë se hetimi është aktiv dhe është duke vazhduar. Më 23 prill do të përfundojë afati 24 muajsh i hetimeve. Ky afat kufizon Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK) në ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore në lidhje me akuzat dhe të dyshuarit e përmendur në vendimin fillestar për nisjen e hetimeve”, ka thënë Krasniqi.

“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e prokurorit për vazhdim të hetimeve më shumë se 24 muaj, sepse ligji e parasheh këtë afat ligjor”, ka thënë një burim nga EULEX-i.

Hetimet kundër ish-ministrit Fatmir Limaj, shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, zyrtarisht kanë filluar më 23 prill 2010.

EULEX-i, nuk e ka përjashtuar ngritjen e aktakuzës e as zgjerimin e listës së të akuzuarve që lidhen me keqpërdorime në këtë ministri. /koha/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)