Limaj: Salustro po del se është mbret
Prishtinë, 4 shtator - Në fillim të seancës së sotme në rastin Kleçka, prokurori Maurizio Salustro ka kërkuar nga trupi gjykues që ti fusë si prova edhe dy deklarata të të ndjerit Agim Zogaj, të cilat i kishte dhënë në KFOR dhe EULEX, lidhur me dorëzimin e dy armëve.
Pas fjalës së prokurorit ka reaguar pala mbrojtëse, duke kundërshtuar që këto deklarata të merren si prova për faktin se administrimi i provave ka përfunduar. Por trupi gjykues vendosi në favor të kërkesës së prokurorit Salustro.
Ndaj këtij vendimi të trupit gjykues, ka reaguar edhe Fatmir Limaj, duke u shprehur i pakënaqur me trupin gjykues se si po lejon këso sjelljesh të prokurorit Salustro.
Si e morët vendimin për këto dokumente nuk dua të komentoj, mirëpo nuk mundem pa shprehur shqetësimin tim, sepse nuk është hera e parë që po ndodh kështu, sikurse ekziston një mekanizëm i veçantë në EULEX dhe KFOR vetëm për prokurorin Salustro. Konkretisht, sikurse me qenë dy EULEX-a dhe dy KFOR-a për prokurorin.
Kjo çështje më shqetëson, sepse prokurori po del sikurse të jetë president i shtetit. Ky po del se është mbret. Ky po del sikurse me udhëheq me shtetin dhe gjykatën, ka thënë Limaj.
Prokurori Salustro është duke vazhduar me fjalën e tij përfundimtare në këtë rast.(Epoka e re)