Limaj kërkon të hedhet poshtë ankesa e Prokurorisë në rastin Kleçka
Prishtinë, 2 dhjetor - Fatmir Limaj është ulur sërish në bankën e të akuzuarve, por kësaj radhe si i akuzuar për krime lufte në rastin Kleçka.
Bashkë me nëntë të akuzuar të tjerë, ai të martën është paraqitur në Gjykatë të Apelit, në të cilën ka filluar shqyrtimi i ankesës së prokurorisë për ta anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, shkruan sot Koha Ditore.
Krahas prokurorisë, ankesë kanë bërë edhe të akuzuarit, duke kërkuar të kundërtën, që gjykata të mos marrë parasysh atë kërkesë.
Limaj, përveç akuzës për krime lufte ndaj civilëve, po akuzohet edhe për krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari X.
Rasti Kleçka po shqyrtohet në Apel me ankesën e prokurorisë, pasi për të dytën herë shkalla e parë e ka shpallur të pafajshëm Limajn, Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.
Gjatë seancës të martën janë lexuar nga trupi gjykues të gjitha ankesat, duke filluar prej asaj të prokurorisë.
Prokuroria në ankesën e saj po pretendon se gjykata ka gabuar kur ka konstatuar se të dhënat apo shënimet e ditarit të Agim Zogajt e japin përshtypjen e një të sëmuri mendor. Nëse përkthehet si duhet, shënimet relevante në të vërtetë tregojnë se Zogaj i kishte thënë gruas së tij se fëmijët nuk duhet ta marrin vesh se ai nuk ishte i sëmurë, thuhet në ankesë.
Shqyrtimi i ankesave në rastin Kleçka do të vazhdojë edhe të mërkurën (sot), kur pritet të deklarohet edhe Limaj e të akuzuarit e tjerë.
Më 17 shtator të vitit 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës në rigjykim i kishte shpallur të pafajshëm deputetin Fatmir Limaj, që tash është kryetar i Nismës për Kosovën, dhe të tjerët. Ata janë shpallur dy herë të pafajshëm.
/Koha Ditore/