Ligjvënësit kërkuan raport nga Policia për 14 janarin
Prishtinë, 18 janar - Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u takuan sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Temë diskutimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i raportit vjetor të punës së Policisë së Kosovës, për vitin 2011.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni fillimisht elaboroi në vija të trasha punën një vjeçare të PK-së, duke u fokusuar në raportin e punës së PK-së, ndërsa u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të komisionit.
Duke paraqitur shqetësimin e tij, Maxhuni tha se ka pasur mangësi në punën dhe funksionimin e të arriturave në këto raporte, me theks të veçantë në mirëmbajtjen e statistikave që nga themelimi i PK-së.
Megjithatë, ai shtoi se PK-ja është në vlugun e shumë projekteve të mëdha, sa i përket teknologjisë informative, për mirëmbajtjen e statistikave dhe avancimit të punës së përgjithshme të PK-së në sektorë dhe fusha të caktuara.
Duke u fokusuar në raportin e PK-së, Maxhuni tha se raporti përmban të gjitha aktivitetet e PK-së, ndërsa shtoi se janë duke implementuar Planin Strategjik Zhvillimor 2011 -2015.
Tutje, duke folur për të arriturat e PK-së Maxhuni tha se ndjehet i kënaqur me punën e këtij institucioni, përkundër vështirësive që janë përcjellë gjatë vitit të kaluar.
Kemi arritur të realizojmë shumë objektiva në kuadër të planifikimeve konkrete. Këtë vit janë përmbushur në mënyrë më profesionale 36 detyra që dalin nga objektivat e këtij planifikimi, tha drejtori i PK-së.
Ai shtoi se fokus i PK-së është ngritja e kapaciteteve dhe tendenca e ndryshimit të qasjes policore, me theks të veçantë ndryshimi i konceptit të vjetër.
Me këtë rast ai përmendi hartimin e një dokumenti strategjik (Metodologjia e re e punës),që ka filluar së zbatuari që nga viti 2011.
Ai tha se PK-ja është në rrugë të mbarë drejt avancimit, ndërsa duke folur për angazhimet e këtij institucioni si projekt tjetër madhor ai e quajti edhe atë të policisë së udhëhequr nga intelegjenca.
Më tej Maxhuni duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit foli edhe për të arriturat e PK-së në luftimin e krimit të organizuar, duke shtuar se janë shënuar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, duke përmendur mes tjerash edhe shkatërrimin e 34 grupeve kriminale të cilat kanë vepruar në territorin e Kosovës.
Si një përmbyllje të suksesshme përgjatë vitit të kaluar ai e përmendi marrjen e përgjegjësive të kufirit shtetëror në dy shtetet fqinje, si dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Anëtarët e komisionit shprehën shqetësimin e tyre bazuar në raportin vjetor të PK-së, me theks të veçantë për veprat penale që janë zbuluar nga PK-ja. U tha se rastet që janë paraqitur në raport me shifra, kanë dallime të mëdha, ndërsa theksuan shqetësimin tjetër se ka rritje të veprave penale dhe kundërvajtjeve në rendin publik.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit, kërkuan që Policia e Kosovës të sjell në komisionin parlamentar për siguri, raport me shkrim për ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Raporti duhet të dorëzohet në komision gjer më 25 janar.