26 Dhjetor 2024

Lëndohen 21 ushtarë të KFOR-it në veri

Mitrovicë, 24 shtator - Zyrtarët e KFOR-it kanë njoftuar se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime, derisa forcat e KFOR-it kanë nisur, brenda natës, largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës.

Shefi i zyrës për informim në KFOR-it, Uve Novitzki tha për Radion Evropa e Lirë, se pas largimit të barrikadës në Rudare, forcat paqeruajtëse kanë reaguar duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin të mbronin barrikadën.

“Mbrëmjen e kaluar, pas orës 23:00, KFOR-i me sukses morri nën kontroll bllokadën e vendosur në Rudare, pa ndonjë incident. Në mesnatë ndërkaq, numri i protestuesve u shtua, me vete sollën edhe tre kamionë dhe avancuan drejt trupave të KFOR-it”.

“Protestuesit shfrytëzuan forcën, përfshirë këtu edhe hedhjen me gurë, i shtynë prapa kësisoj forcat e KFOR-it, duke i sulmuar ato, me kamionë të mbushur me zhavorr”, tha Novitzki.

“Forcat e KFOR-it u detyruan të shtiejnë në ajër, si shenjë vërejtjeje, dhe gjithashtu KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinj gome, për vetëmbrojtje nga protestuesit që përcillnin kamionët”.

“Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejmë të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar të dyja palët, KFOR-i morri vendim për të ndërprerë operacionin. KFOR-i konfirmon se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime”, tha Novitzki.

Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka treguar për aksionin e KFOR-it ne veri dhe ka shpjeguar se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorrit

“Janë vendosur serish kamionë me zhavorr për të bllokuar totalisht rrugën magjistrale Mitrovicë –Leposaviq, përkatësisht fshatin Rudare të komunës së Zveçanit”, tha Hoti.

Aktualisht, sipas autoriteteve te rendit situata është e qetë.

Po mbrëmë, pas mesnate në afërsi të zonës së tre rrokaqiejve, ka ndodhur një shpërthim.

Nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale në tri automjeteve civile, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti.

“Dy nga automjetet janë pronë e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare dhe një tjetër e një banori serb. Nuk është raportuar për të lënduar nga ky shpërthim”, bëri të ditur Hoti.

Hoti ka thëne se deri tash është gjetur një granatë dore e tipit M75, prodhim jugosllav. Lagjja e tre rrokaqiejve është zone e banuar me popullatë të përzier në Mitrovicë.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)