Lejohet regjistrimi i qytetarëve që janë në Regjistrat e Gjendjes Civile
Prishtinë, 1 mars - Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi me të cilin lejohet regjistrimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës që figurojnë në Regjistrat e Gjendjes Civile por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës.
Sipas vendimit në fjalë, lejohet pajisja me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile për qytetarët që figurojnë në Regjistrat e Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës, por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës, por për realizimin e kësaj të drejte, qytetarët që aplikojnë duhet të disponojnë me dokumentet e vjetra që vërtetojnë identitetin e tyre, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Është miratuar edhe vendimi lidhur me udhëzimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për regjistrimin e paluajtshmërive në emër të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa theksoi rëndësinë që ka ky vendim për Kosovën.
Konsideroj se është një vendim i rëndësishëm për ne dhe për Kosovën, tha kryeministri Mustafa.
Në të ndryshme, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka njoftuar kabinetin qeveritar se është duke u punuar në përpilimin e një vendimi, i cili do të lejonte angazhimin me kontratë të veçantë të disa zyrtarëve në Zyrën për Veteranët e Luftës së UÇK-së në ZKM, të cilët do të merren me lëshimin e vërtetimeve për aplikimin e veteranëve për pensione.
Personat e angazhuar më parë në këtë zyre, iu është ndërprerë kontrata pas dorëzimit të Listave së veteranëve, e kjo ka shkaktuar që një numër i veteranëve të mbesin pa marrë vërtetimet e tyre.