Largohet barrikada në Zubin Potok
Mitrovicë, 2 janar - Sot pasdite është larguar barrikada e vendosur para tri ditësh në veri, në rrugën magjistrale në Zubin Potok.
Barrikada ishte vendosur nga biznesmenët dhe ndërmarrësit serbë nga veriu i Kosovës në shenjë pakënaqësie me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në vendkalimin kufitar në Bërnjak.
I tërë mekanizmi i rëndë (kamionë dhe kombibusë), të cilët nga e diela, 30 dhjetor, ishin vendosur në rrugën magjistrale, sot janë larguar, duke u krijuar kushtet për qarkullim normal të automjeteve në këtë rrugën, transmetojnë mediat serbe.
Ndërmarrësit serbë nga veriu me vendosjen e barrikadave kanë dashur të pengojnë shkuarjen e Policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimin kufitar në Bërnjak.
Pavarësisht nga barrikadat e vendosura, automjetet e udhëtarëve dhe ato të KFOR-it dhe EULEX-it janë lejuar për qarkullim, kurse nga e hëna, 31 dhjetor, normalisht ka funksionuar edhe lëvizja në vendkalimin e Bërnjakut, sipas marrëveshjes për menaxhimin e integruar të Kufirit, ku janë vendosur edhe pjesëtarët e MUP-it serb.
Qarkullimin e automjeteve në këtë vendkalim kufitar e bëjnë edhe pjesëtarët e Policisë Kufitare të Kosovës dhe EULEX-it, aty janë edhe zyrtarët doganorë të Kosovës.