15 Janar 2025

Lansohet strategjia për asistencë në sektorin e sundimit të ligjit

Prishtinë, 20 shkurt - Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP, Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr.Hajredin Kuçi, sot ka bërë lansimin e “Strategjisë për Asistencë në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë”.

Gjatë kësaj ceremonie, Ministri Kuçi ka theksuar se që nga shpallja e pavarësisë, janë ndërmarrë një sërë reformash për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

Ministri Kuçi ka thënë se krahas reformave që janë ndërmarrë në përforcimin e sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, kujdes i është kushtuar reformave në fushën e gjyqësorit dhe atë të prokurorisë.

Kuçi ka shtuar se reformat udhëzohen edhe nga dy procese të rëndësishme, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe Procesi i Liberalizimit të Vizave me BE-në.

Kuçi ka theksuar se institucionet e Kosovës për rend dhe ligj, të koordinuara nga Ministria e Drejtësisë, gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 kanë mbajtur një sërë takimesh e punëtorish për identifikimin e fushave më sfiduese në drejtësi dhe punë të brendshme dhe, si rezultat, është hartuar Strategjia për Asistencë në Sektorin e Sundimit të Ligjit.

Kjo strategji do shërbejë si udhërrëfyes për institucionet vendore të rendit dhe ligjit për orientim të donacioneve.

“Qëllimi i kësaj strategjie është përmirësimi i kushteve për sundim të qëndrueshëm të ligjit dhe, rrjedhimisht, avancimi në procesin e integrimit evropian.  Kjo strategji është bazuar në prioritetet strategjike nacionale dhe objektivat afatmesme të dala nga to, duke përbërë kështu bazën kryesore për zhvillimin e projekteve të përshtatshme për financim nga komuniteti i donatorëve, duke mos përfshirë projektet që do të realizohen ekskluzivisht nga buxheti vetanak i secilit institucion."

"Prandaj, ky dokument do të shfrytëzohet si instrumenti kryesor për lidhjen e kontributit të donatorëve me prioritetet nacionale në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme” ka thënë Kuçi.

Kjo strategji përcakton tri prioritete strategjike: përmirësimi i pavarësisë, efiçencës, efektivitetit, llogaridhënies dhe paanshmërisë së sistemit të drejtësisë; përmirësimi i parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë trafikimit me qenie njerëzore dhe narkotikë, krimit ekonomik dhe shpëlarjes së parave, kontrabandës me armë, krimit kibernetik dhe terrorizmit; si dhe përmirësimi i qasjes në drejtësi.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të gjykatave, prokurorisë, Policisë së Kosovës, përfaqësues të BE-së, shoqërisë civile, donatorë, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare të cilët e kanë vlerësuar këtë strategji si shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)