Lansohet raporti për të rinjtë Zëri Ynë
Prishtinë, 21 nëntor - Save the Children në Kosovë, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit lansojnë raportin Zëri Ynë i cili paraqet atë se çfarë mendojnë dhe ndjejnë të rinjtë e moshës 12-16 vjeç, lidhur me çështje të ndryshme.
Zëri ynë sjell të gjeturat e hulumtimit të realizuar në mbarë vendin, i cili paraqet atë se çfarë mendojnë dhe ndjejnë 1588 të rinj të moshës 12-16 vjeç, lidhur me çështje të ndryshme, që ndikojnë te ata, si dhuna, ngacmimi, njohuritë për të drejtat, shpenzimet në shkollë, e ardhmja e çështje të tjera, të cilat, i përfshin Konventa për të Drejtat e Fëmijës.
Një gjetje nga raporti tregon se 86.4% e fëmijëve thojnë se dëshirojnë të kenë më shumë ndikim në problemet që i shqetësojnë ata.
Ky hulumtim është përgatitur për herë të parë në Suedi dhe Save the Children në Kosovë ka modifikuar pak këtë metodologji të hulumtimit në mënyrë që ti përshtatet më mirë kontekstit të Kosovës.
Zëri ynë prezanton pikëpamjet se si i perceptojnë fëmijët situatat e tyre dhe se si mendojnë ata lidhur me respektimin dhe përmbushjen e të drejtave të tyre. Qëllimi është shpërndarja e njohurisë dhe që të rriturit të cilët kanë ndikim në jetën e fëmijëve ta marrin këtë njohuri seriozisht dhe të veprojnë sipas saj.
Save the Children, në bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, i propozojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, komunave dhe shkollave që të krijojnë struktura dhe procedura që sigurojnë që mendimet e fëmijëve të dëgjohen dhe të merren parasysh gjatë vendimmarrjes për çështje të fëmijëve.
Save the Children në Kosovë ka po ashtu për qëllim që të shfrytëzojë njohuritë që dalin prej raportit Zëri Ynë për të zhvilluar dhe pasuruar programet dhe projektet, politikat dhe ligjet të cilat duhet të shpiejnë përfundimisht në rritjen e shpenzimeve për identifikimin e fushave shqetësuese, e gjithë kjo për të krijuar një jetë më të mirë për të rinjtë dhe fëmijët.
- 63.4% e fëmijëve raportojnë të jenë të mërzitur dhe të trishtuar për një periudhë më të gjatë. (54.1%) raportojnë se ndihen të mërzitur e të dridhtuar shumë shpesh dhe 36.6% raportojnë se nganjëherë ndihen të mërzitur dhe të trishtuar.
- 35.7% e vajzave dhe 36.4% e djemve shqetësohen nga ngacmimi.
- 32.9 % e fëmijëve janë ndjerë të ngacmuar ose të ofenduar gjatë këtij gjysmëvjetori ose atij të fundit.
- Tre prej pesë fëmijëve stresohen për punën në shkollë. (53%) stresohen nganjëherë, 16.1% janë shumë të stresuar.
- 63%e vajzave dhe 54.3% e djemve shqetësohen që nuk janë në gjendje tia dalin në shkollë.
- Pothuaj katër nga pesë fëmijë kanë stres për nota. 50% kanë raportuar të kenë stres për nota nganjëherë, 28.3% kanë raportuar se kanë shumë stres për nota, ndërsa 21.7% kanë raportuar se nuk kanë stres fare kur është fjala për nota.
- 96% e fëmijëve gjithmonë ndihen të sigurt në shtëpi, ndërsa 81.1 % ndihen gjithmonë të sigurt në klasë.
- 75.6% e kanë parë dikë të jetë grushtuar ose qëlluar vitin e kaluar.
- Rreth 96% e fëmijëve kanë dëgjuar për të drejtat e fëmijëve dhe për CRC, mirëpo
- 50.3% e fëmijëve raportojnë se nuk e dinë se ku duhet të drejtohen kur kanë probleme në familje.
- 41.7% e fëmijëve nuk e dinë se ku duhet të drejtohen kur ndihen të dhunuar ose të keq-trajtuar.
- 84% e fëmijëve thonë që Kosova duhet të bëjë më shumë për të siguruar praninë e Institucionit të Avokatit të Popullit në secilën komunë.
- 84% e të rinjve në Kosovë e shikojnë të ardhmen e tyre në mënyrë pozitive.
- 24.6% e fëmijëve që jetojnë në fshatra raportojnë të jenë ballafaquar së paku me një prej pengesave financiare të mëposhtme: 1) të mos jenë në gjendje të marrin pjesë në aktivitete shkollore; 2) të mos jenë në gjendje të paguajë uniformën e shkollës ose mjetet e tjera mësimore; 3) të mos jenë në gjendje të marrin pjesë në kurse jashtë plan-programit shkollor.