Lansohet projekti Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore
Prishtinë, 9 tetor - Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, sot ka bërë lansimin e projektit Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore, projekt ky i financuar dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërkohë që implementohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) i cili ka për qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe përafrimin e legjislacionit vendor me standardet Evropiane në fushën e së drejtës civile dhe të drejtat e pronës.
Në fjalën e rastit para të pranishmeve, Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri, tha se, orientimi i Ministrisë së Drejtësisë në vitet e fundit ka qenë në fushën penale ku është krijuar infrastruktura ligjore dhe fizike për funksionimin e gjyqësorit përfshirë këtu edhe draftimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale përmes të cilave është finalizuar puna më e madhe në krijimin e infrastrukturës së Drejtësisë Penale.
Hartimi i Kodit Civil, së bashku me forcimin e të drejtave të pronësisë, do të kontribuoj në një shkallë më të lartë të sigurisë juridike në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky projekt do të kontribuoj në krijimin e mjedisit të biznesit miqësor në Kosovë dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, që rezulton në një rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët e vet ka thënë Ymeri.
Zëvendësministri Ymeri tha se Ministria e Drejtësisë vazhdimisht ka mbështetur dhe se do të vazhdojë të mbështes projekte të tilla që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e vendit.
Për rëndësinë që ka projekti Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore, folën edhe Shefi i Divizionit për Bashkëpunim, Zyra e BE-së në Kosovë, Christof Stock, Drejtoresha e Projektit nga GIZ, Elena Fernandez-Frontan si dhe Udhëheqësi i Ekipit GIZ IS, Victor Chimienti.