Kuvendi të enjten shqyrton Projektligjin për Veteranët
Prishtinë, më 31 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet të enjten, më 3 prill.
Fillimisht do të vazhdohet me pikat e papërfunduara nga seanca e 27 marsit: votimi i katër raporteve të shqyrtuara , si dhe shqyrtimi për herë të parë i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në mënyrë që Kuvendi ti kryejë me sukses dhe përgjegjësi detyrat, si legjislativ i vendit, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga anëtarët e Kryesisë dhe shefat e gupeve parlamentare të ndikojnë tek deputetët që të jenë më të rregullt në mbledhjet e Kuvendit.
Anëtari i Kryesisë, Petar Miletiq, ndërkaq, ka përcjellë qëndrimin e deputetëve serbë që Projektligjit për Zgjedhjet të tërhiqet nga seanca, për derisa të sqarohet çështja e vendeve të rezervuara për komunitetet joshqiptare. Kreu i Kuvendit, Krasniqi, por edhe pjesëmarrësit e tjerë në diskutim, në këtë temë, kanë theksuar se çështjen e vendeve të rezervuara nuk e rregullon ky projektligj, por Kushtetuta e vendit.
Në seancën e re, në të njëjtën ditë, do të shqyrtohet Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vazhdim do të shqyrtohet Projektligji i për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për linjën kreditore për Fondin e Sigurimeve të Depozitave në Kosovë nëpërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Projektligji për produkte dhe pajisje medicinave.
Si rëndom, në këtë seancë të rregullt të Kuvendit, deputetët do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Kërkesën për procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit, Kryesia ia ka deleguar Komisionit (funksional) të Shëndetësisë.
Duke e shqyrtuar, ndërkaq Rekomandimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me funksionimin e Agjencive dhe Rregullatorëve të Pavarur që i raportojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryesia ka mbajtur qëndrim që para se ato të radhiten për seancë plenare të Kuvendit, duhet të shqyrtohen nëpër komisionet e tjera parlamentare.
Pasi e ka marrë njoftimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me procedimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe të anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Kryesia ka kërkuar nga komisioni në fjalë që ta rishqyrtojë çështjen, konform rregullave në fuqi.