Kushtetuta sfidohet në veri të Kosovës
Prishtinë, 9 prill - Në dyvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, zyrtarët në Prishtinë vlerësojnë se akti më i lartë juridik vazhdon të sfidohet nga serbët në veri.
Për këta të fundit Kushtetuta e Kosovës është e pavlefshme, ndërsa shteti i Kosovës inekzistent.
Kushtetuta e Kosovës u miratua dy muaj pas shpalljes së pavarësisë përkundër kundërshtimeve të fuqishme të Beogradit dhe Moskës zyrtare, duke i dhënë fund administrimit nëntëvjeçar të OKB-së mbi Kosovën.
Për shqiptarët e Kosovës, ajo shënoi aktin më të lartë juridik të shtetësisë, por për serbët e Kosovës, kjo kushtetutë shënonte rrënimin e shtetit të tyre - Serbisë.
Kushtetuta e Kosovës, sipas hartuesve të saj, përmban kompromise politike të dhimbshme, duke pasur një qasje tepër afirmative ndaj pakicave të njohur në zhargonin politik si diskrimin pozitiv.
Ajo gjithashtu njeh autoritetin e pranisë civile ndërkombëtare, e cila bën mbikqyrjen e pavarësisë së Kosovës.
Dy vjet pas miratimit të Kushtetutës, autoritetet në Prishtinë thonë se shteti i ri, i njohur nga 65 vende të botës, ka Kushtetutë moderne dhe institucione demokratike.
Njëri nga autorët kryesor të saj, Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës thotë akti më i lartë juridik ka kryer misionin e tij kryesor, konstituimin dhe promovimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran si dhe zbatimin e standardeve të larta për pakicat.
Por zoti Bajrami ka pranuar se Kushtetuta ka dështuar të jetë shtrijë autoritetin e saj në veri të vendit me shumicë serbe.
Ende kemi veprim të ligjeve të shteteve tjera (Serbisë), që është një atak në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe kjo do të jetë sfida kryesore, që fuqia e Kushtetutës të vërehet në tërë territorin e Kosovës, shprehet z.Bajrami.
Ai thotë se kjo është një sfidë politike, por sugjeron që institucionet e vendit të punojnë në mënyrë unike për ta funksionalizuar një sistem kushtetutes në tërë territorin.
Pas dy viteve duhet të ketë një strategji kohore se kur do të shtrijë autoritetin e saj kushtetuta në veri të Kosovës dhe në disa pjesë të brendshme të vendit, deklaroi Arsim Bajrami.
Opozita ndërkaq ka vlerësuar se Kushtetuta e Kosovës është në krizë. Kjo jo vetëm për shkak të moszbatimit të saj në veri të vendit, por edhe shkeljes së saj në shumë aspekte nga bartësit e institucioneve të Kosovës.
Kushtetuta në përpikshmëri të plotë po zbatohet për interesat e fiseve të qeverisjes në Kosovë, të kryefiseve ose të shefave të fiseve dhe në asnjë element të shtetësisë së Kosovës, në asnjë element të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës nuk respektohet, thotë kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Nexhat Daci.
Vlerësimet për aktin më të lartë juridik të vendit, dy vjet pas miratimit, janë të ndryshme edhe në mesin e serbëve.
Ata në veri nuk e njohin atë e as ekzistimin e shtetit të Kosovës, duke thënë se i vetmi dokument i vlefshëm për ta është Kushtetuta e Serbisë.
Por për kryetarin e Partisë së Pavarur Liberale dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq, që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, jeta e serbëve në Kosovë ka ndryshuar për të mirë.
Me kënaqësi mund të ju them se për dy vjet e gjysmë është bërë më shumë për komunitetin serb, sesa në dhjetë vjetët e shkuara, thotë z.Petroviq.
Kjo mund të shihet në sigurimin e strehimit si për raste sociale e poashtu edhe për atë kthyerit, si dhe në ndërtimin e infrastrukturës, në punësim etj, shtoi ai.
Ndër të arriturat më të mëdha Slobodan Petroviq përmendi krijimin e komunave me shumicë serbe, të cilat gëzojnë një shkallë të lartë të autonomisë nga Prishtina.
Kryetari i Partisë Liberale Serbe pranon se për shkaqe politike komuniteti serb nuk i ka shfrytëzuar të gjitha të drejtat që ia garanton Kushtetuta e Kosovës.
Autoritetet e Prishtinës po bëjnë përpjekje që ti bindin edhe serbët e veriut që ti shfrytëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me të gjitha aktet ligjore në fuqi.
Për këtë qëllim ato kanë përgatitur një strategji që synon integrimin e veriut në jetën institucionale të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e vendit, por që po kundërshtohet nga Beogradi dhe popullata lokale.
/BBC/