Kushtetuesja mbështet Forcat e Armatosura
Prishtinë, 31 mars - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vlerësuar se amendamentet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës, konkretisht nuk i pakësojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Gjatë seancës së mbajtur më 31 mars 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi për Rastin KO44/14,
Vlerësimi i amendamenteve të propozuara të Kushtetutës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të parashtruara nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 11 mars 2014.
Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që:
I. Kërkesa është e pranueshme;
II. Amendamentet e propozuara të Kushtetutës nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara në Kapitullin II, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Teksti i plotë i Aktgjykimit do tu komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën e duhur.
Më poshtë mund ti lexoni amendamnetet e propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilat janë parashtruar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 11 mars 2014 dhe kanë marrë vlerësim pozitiv nga Kushtetuesja.
Neni 126 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të plotësohet dhe ndryshohet si në vijim: Forcat e Armatosura të Kosovës,
1) Forcat e Armatosura të Kosovës janë Forca Kombëtare, Ushtarake të Republikës së Kosovës dhe mund të dërgojnë forca jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
2) Forcat e Armatosura të Kosovës mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës si dhe kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global.
3) Presidenti i Republikës së Kosovës është komandant Suprem i Forcave e Armatosura të Kosovës, të cilët gjithmonë i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.
4) Forcat e Armatosura të Kosovës janë forcë profesionale, pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohen nga shtetasit e Republikës së Kosovës.
5) Shefi i Mbrojtjes është njëkohësisht edhe komandant i Forcave e Armatosura të Kosovës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të kryeministrit. Organizimi i brendshëm i Forcave e Armatosura të Kosovës rregullohet me ligj të veçantë.