Kushtetuesja i thotë po Gjykatës Speciale
Prishtinë, 15 prill - Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, për ndryshimin e Kushtetutës për themelimin e Gjykatës Speciale.
Sipas kushtetueses, amendamenti nr. 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II dhe III të Kushtetutës.
Aktgjykimi i kushtetueses për Gjykatën Speciale
VENDOS
I. TË DEKLAROJË të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, të dorëzuar më 9 mars 2015, me Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
II. TË KONFIRMOJË që Amendamenti nr. 24 nuk pakëson të drejtat dhe Liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës si dhe në Kapitullin III të Kushtetutës dhe me shkronjën e me frymën e saj, siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës;
III. T\'UA KUMTOJË këtë aktgjykim palëve dhe ta publikojë atë në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20 (4) te Ligjit; dhe
IV. Ky aktgjykim hyn ne fuqi menjëherë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës u ratifikua Marrëveshja Kosovë-BE, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016.
Me një shumicë votash Kuvendi i Kosovës ratifikoi të mërkurën më datën 23.04 2014 marrëveshjen Kosovë-Bashkim Evropian, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016. Për këtë të fundit do të duhet amendamenti i një serë ligjesh të Kuvendit të Kosovës. 89 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundër.
Të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje!, votuan në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, ndonëse pothuaj të gjithë thanë se janë në presion nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë para një fakti të kryer. Ose Kuvendi i Kosovës ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, ose këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.