Kurti udhëton drejt Kroacisë për të vizituar të lënduarit në aksidentin tragjik
Prishtinë, 25 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë.
Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë.