Kurti u prit në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të MB-së
Londër, 7 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, z.Ilir Kapiti, u pritën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, z. James Heappey.
Kryeministri ju falënderua ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.
Biseduan për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik.
Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ngritur e kanë arritur rezultate të larta dhe FSK-ja ka marrë pjesë tri herë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, duke fituar njëherë medaljen e artë, një herë të argjendtën dhe njëherë të bronztën. Tani janë duke u bërë përgatitjet për pjesëmarrjen e radhës që mbahet në muajin tetor.
Duke biseduar për çështjet e sigurisë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.
Kryeministri Kurti tha që Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.
Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre.