15 Janar 2025

Kuqi: Selia e Gjykatës speciale mund të jetë në Holandë

Prishtinë, 18 shkurt - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot dëgjim publik me temën: Gjykata speciale, procesi i përgatitjes së legjislacionit dhe kushtetutshmëria e saj. I ftuar në këtë takim ishte edhe ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi.

Fillimisht, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, duke paraqitur  një varg shqetësimesh lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, theksoi se institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të mbrojtur luftën e UÇK-së dhe se themelimi i kësaj gjykate do ta njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.

Duke kërkuar sqarime të shumta nga ministri i Drejtësisë për formimin e kësaj gjykate speciale tha se obligim shtetëror është që të mbrohet lufta e UÇK-së, ndërsa kërkoi të dhëna mbi rolin e KGJK-së në këtë proces.

“Nëse ka dyshime qe brenda UÇK-së ka pasur individë të cilët kanë shkelur ligjet e luftës, sigurisht se duhet të hetohen, por jo të njolloset lufta. Dhe këto hetime duhet të bëhen nga institucionet tona të drejtësisë,  e jo nga mekanizmat e  tillë që shkelin sovranitetin e vendit”, tha Haxhiu duke e vlerësuar këtë proces si të dëmshëm për vendin, ndërkaq kërkoi nga ministri Kuçi që gjatë këtij procesi të jenë transparent dhe në këtë çështje të përfshihen grupet e ndryshme të interesit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi,  pasi dha një kronologji rreth këtij procesi, sqaroi para anëtarëve të Komisionit se gjithë procesi i themelimit të kësaj gjykate menaxhohet nga presidentja e vendit, e cila, sipas tij, ka themeluar dy grupe: grupin politik dhe atë teknik.

Ndërkaq, tha se ai në këtë takim vjen në cilësinë e udhëheqësit të grupit të ekspertëve, të mandatuar nga presidentja. 

Tutje, ai tha se ky është një proces i rëndë dhe i ndjeshëm dhe se kjo çështje është si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve. 

Kuçi sqaroi se kanë kërkuar që Dhoma e specializuar të jetë në Kosovë, sikurse edhe mbajtja dhe vuajtja e dënimeve të realizohet në vend.

Ndërsa, sipas tij selia e Gjykatës speciale mund të jetë në Holandë, edhe pse akoma nuk kanë ndonjë marrëveshje të arritur me këtë shtet.

Megjithatë, ai ka vënë në pah faktin se krejtësisht në fund kjo çështje  do të kalojë përmes Kuvendit  dhe këtij komisioni.

“Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos ndërmarrim asnjë veprim që do të cenojë vënien në vend të drejtësisë dhe të pengojë funksionimin e dhomave të specializuar. Kemi qenë të kujdesshëm që të mos e dëmtojmë sovranitetin e vendit tonë dhe do të ruajmë maksimalisht juridiksionin e Kosovës mbi dhomat e specializuara,  që nënkupton në parim që selinë kjo gjykatë ta ketë në Kosovë. Natyrisht, me mundësinë që të zhvillohen shumica e procedurave në vendin tonë”, tha Kuçi, duke shtuar se do të përpiqen që të ruajnë imazhin e Kosovës. 

Anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, tha se askush nuk duhet t’i frikësohet drejtësisë dhe se ky proces duhet të përkrahet.

“Do të angazhohemi dhe do ta japim maksimumin në këtë proces. Nuk kemi nevojë të paragjykojmë dhe të parandalojmë një marrëveshje, e cila edhe ashtu kërkohet nga Këshilli i Evropës dhe miqtë ndërkombëtarë”, tha Zemaj, duke shtuar se në këtë proces Kosova nuk do të ketë barrë buxhetore.

Edhe zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni Selvije Halimi, tha se ky proces nuk duhet ta frikësojë askënd dhe se ky proces nuk do ta njollosë askënd, por do ta largojë hijen që është vënë mbi grupe dhe individë të ndryshëm.

Halimi ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, në cilësinë e udhëheqësit të grupit të ekspertëve, që të jetë në koordinim shumë më të përgjegjshëm me grupin politik të mandatuar nga presidentja.

Ndërkaq, kërkoi nga Kuçi që lidhur me këtë çështje të raportojë edhe në Kuvend.


 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)